ForumPortali*Regjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Kryengritja e madhe e ilireve e viteve 6-9

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Albanian Warrior
Antar i ri
Antar i ri


Numri i postimeve : 121
Vendi : Shqiperi Natyrale
Reputacioni : 8
Data e regjistrimit : 19/03/2009

MesazhTitulli: Kryengritja e madhe e ilireve e viteve 6-9   Fri Apr 10, 2009 1:28 am

Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen e vështirë që krijoi për shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë kur Perandoria Romake, duke vazhduar politikën pushtuese të saj, po përgatitej për luftën kundër markomanëve gjermanikë, të cilët kishin krijuar në tokat e Çekisë së sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte detyruar të jepnin rekrutë për luftërat e reja pushtuese. Për luftën kundër markomanëve ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e cila do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët e këtyre reparteve do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët, desidiatët, panonët etj.


Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri në kryengritje ilirët, që ishin rënduar edhe nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku, për të parën herë, një tërësi popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë: nga Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato i breukëve e Pini nga fisi panonë. Duke bashkërenditur veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete e kështjella, zbritën në jug deri në afërsi të qytetit të Apolonisë, në provincën e Maqedonisë. 2) Një grup tjetër kryengritësish u drejtua nga veriperëndimi, për të çliruar krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për të forcuar mbrojtjen në këto vise. 3) Një pjesë tjetër e kryengritësve qëndroi në brendësi të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.
Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të tyre u bënë shqetësuese për romakët, të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi shumë pushtetin qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë, po të mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në Romë”. Perandori kërkoi që për nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën armë veteranët e luftërave të mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me markomanët shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake, të dërguara kundër markomanëve dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.


Komandati romak Tiberi(42 p.e.s-37 e.s)

Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë dy viteve të para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa ishte në duart e kryengritësve, të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në disa drejtime në një kohë, sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve ilirë, shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi ndihmën e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi në Ilirik komandantët më të mirë ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në viset ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien e qendërbanimeve të ilirëve kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve e të pyjeve, vrasjen e kthimin e popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë të kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar pas dimrit të fortë në vitet 7-8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët mundën me anë premtimesh të bënin për vete Baton, njërin prej prijësve breukë. Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u dënua si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë dhe ushtria romake mundi ta shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të cilët forcën kryesore e përbënin dalmatët, qenë të detyruar t’u bënin ballë sulmeve të një ushtrie armike disa herë më të madhe dhe që zotëronte mjete të shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në luftimet kundër legjioneve romake një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan nga një katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa përfaqësuesve të parisë vendase. Në mbrojtje të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit u bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë në duart e armiqve u hodhën me fëmijët e tyre në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën dhe në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga kryengritësit ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa banorë. Popullsi të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe pas rënies së kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën qenë desidiatët e pirustët, të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli, pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve ilirë, “ishin pothuaj të pathyeshëm në sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve, të natyrës së tyre të egër, të zotësisë së tyre të çuditshme për të luftuar...”.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas historishkruesit romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme pas luftës punike”. Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz humbën dhe u shpenzua një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej shumë ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë”. Pasojat e kryengritjes së madhe ilire, dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake, që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një luftë të re, u dukën shumë qartë në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve e viteve 6-9 krijoi në Perandori një situatë të nderë e të vështirë. Ajo i dha fund periudhës agresive të politikës së jashtme të Oktavianit. Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset ku shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme. Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u prenë duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas më shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin “në një farë mënyre”. Straboni shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre”.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha të organizuara të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit e asimilimit vazhdoi gjatë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Kryengritja e madhe e ilireve e viteve 6-9
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Shqipëria Natyrale :: Shqiptaret :: Histori-
Kërce tek: