ForumPortali*Regjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Tubim i organizatave shqiptare në Korçë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: Tubim i organizatave shqiptare në Korçë   Sun May 17, 2009 10:55 pm

Tubim i organizatave shqiptare në Korçë

Seria e takimeve nëpër qytetet më të rëndësishme shqiptare, në vazhdën e diskutimit të hapur mbi aktualitetin dhe statusin politik të Kosovës si dhe aktivitetin dhe pozicionin më të fundit të Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RrOSh), ndalesën e radhës të 15 majit, e pati në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë. Lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, përfaqësuesi i Lëvizjes MJAFT!, Leart Kola, si dhe përfaqësuesja mediatike e RrOSh-it në Tiranë, Blerina Hankollari, përbënë panelin e këtij diskutimi. Takimi u mbajt në ambientet e bibliotekës së qytetit, ku të pranishëm ishin studentë, përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme të qytetit, artistë, aktivistë etj.

Në fjalën e tij, Albin Kurti, parashtroi situatën politike aktuale në Kosovë. Në morinë e argumenteve të paraqitura, lideri i VETËVENDOSJE!-s ngriti shqetësimin e pamundësisë së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje të brendshme dhe të jashtme, për moskontroll të territorit të tyre, për decentralizimin e skajshëm me baza etnike, proces i cili synon të copëzojë dhe fragmentarizojë jo vetëm territorin, por edhe optikën e shqiptarëve të Kosovës, duke vështirësuar edhe më tej unifikimin politik dhe sovranitetin e tyre. Sipas tij, vetëvendosja e jashtme përjashtohet përmes kushtetutës duke ndaluar bashkimin e shtetit të Kosovës me shtete të tjera, ndërsa vetëvendosja e brendshme është përjashtuar prej vetë faktit se institucionet aktuale në Kosovë nuk e kanë legjitimitetin prej popullit. Përpos boshtit të mësipërm të evidentuar nga Kurti, pjesë e pashmangshme e fjalës së tij ishin edhe simbolet e reja në Kosovë, simbole këto, shprehëse të forta të një identiteti të dukshëm shtetëror dhe një identiteti inekzistent kombëtar. Sipas tij, prezenca e ndërkombëtarëve në Kosovë nuk është bërë e kritikueshme për hir të vetë prezencës së tyre, por sepse prezenca e tyre është legjitimuar përmes fuqive ekzekutive që ata kanë tashmë, fuqi këto që i qëndrojnë sipër kokës edhe Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Sipas Kurtit, stabiliteti aktual në Kosovë mbahet në kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Ai tha se çështja kombëtare nuk ka dallim të qartë e përfundimtar nga çështja ekonomike, sociale. Lufta kundër varfërisë, papunësisë, mungesës së transportit, problemeve në shëndetësi është në vetvete një çështje kombëtare.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Lëvizjes MJAFT!, Leart Kola, bëri një prezantim të RrOSh-it, si një rrjet organizatash shqiptare të cilat angazhohen në artikulime, reagime dhe pozicione të përbashkëta në lidhje me të drejtat e tyre politike dhe civile në mbarë trevat shqiptare. Gjithashtu, ai theksoi se ky rrjet së shpejti do e materializojë vizionin e tij të përbashkët përmes fushatës së emërtuar Blej Shqip!. Kjo fushatë, e cila do ndërmerret së shpejti, ka për synim të promovojë biznesin shqiptar në trevat shqiptare. Më pas, përfaqësuesja mediatike e përfaqësisë së RrOSh-it në Tiranë, Blerina Hankollari, shpjegoi detajet e ecurisë së fushatës si dhe nevojën për të vendosur kontakte të forta bashkëpunimi mes qytetatëve dhe kësaj sipërmarrjeje. Gjithashtu, ajo njoftoi se së shpejti RrOSh-i do të ketë tre përfaqësi, në tre kryeqytetet e trevave shqiptare, Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Më pas, takimi mes pjesëmarrësve u mbajt informalisht në mjedise të tjera kulturoro-artistike të qytetit.

Zëdhënësja e RrOSh-it në Tiranë,
Blerina Hankollari
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Tubim i organizatave shqiptare në Korçë
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Shqipëria Natyrale :: Shqiptaret :: Politikë-
Kërce tek: