ForumPortali*Regjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Shkrime nga njeriu i idealit kombëtar-ALBIN KURTI...!!

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4
AutoriMesazh
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: E shkuara e kompromisit që nuk po shkon   Sat May 09, 2009 10:27 am

Elita politike kosovare tradicionalisht e ka shndërruar kompromisin e djeshëm në qëllim të sotëm. Në demonstratat e vitit 1981 kërkohej Kosova Republikë. U tha që ne vazhdojmë të jemi për bashkimin kombëtar mirëpo ai realizohet veçse me kryengritje, luftë dhe revolucion. Madje, thuhej që kjo duhej bërë pikërisht në momentin kur do të shkatërrohet Jugosllavia si një burg i popujve që ishte. Meqë s’jemi të gatshëm për këto, tash për tash po e synojmë Kosovën Republikë me mjete paqësore. Me këtë qasje mbase mund të pajtohemi edhe sot e kësaj dite. Pra, qëllimi mbetet bashkimi kombëtar, por aktualisht nuk i kemi kapacitetet për ta realizuar atë menjëherë. Ndërkohë, me mënyrat e zbatueshme në përputhje me potencialin tonë po ia mësyjmë Republikës së Kosovës si një hap drejt bashkimit kombëtar. Gjithsesi kjo tingëllon shumë arsyeshëm andaj nuk është e çuditshme që ka pasur një lloj konsensusi politik nga organizatat ilegale e gjysmëlegale të asaj kohe.

Mirëpo, përgjatë viteve të ’80-ta kërkesa “Kosova Republikë” pak nga pak bëhet dyfjalëshi kryesor i politikës së shqiptarëve të Kosovës – i atyre që e shkruanin fshehurazi nëpër mure e banka të shkollës (shpesh vetëm si iniciale), por edhe i atyre që publikisht e fshinin mandej (meqë partia ashtu kishte urdhëruar). “Kosova Republikë” nga një kompromis nis e shndërrohet në një qëllim gjithëpopullor. Deri me 2 korrik të vitit 1990, kur Kosova edhe shpallet Republikë. Atëbotë, sikur u bënë një ilegalistët dhe legalistët: të parët zbritën përfundimisht te Republika, kurse të dytët u ngjitën përfundimisht tek ajo. Kësisoj, “Kosova Republikë” na del jo vetëm si kompromis karshi kërkesës për bashkim kombëtar, por edhe si kompromis ndërmjet ilegalistëve nacionalistë dhe legalistëve autonomistë. Megjithëkëtë, në krye të këtij bashkimi gjithëpopullor fillojnë të zënë vend më shumë të dytët sesa të parët dhe, siç e dimë, kjo do të ketë shumë rëndësi për zhvillimet në vijim.

Shpallja e Kosovës republikë ishte bërë në kohën kur po ndjehej gjithandej se Jugosllavia nuk do ta mbijetonte vetveten. Prandaj kjo shpallje përkthehej, para së gjithash, në të drejtën e Kosovës për t’u shkëputur nga Jugosllavia e cila po shndërrohej në Serbosllavi. Por çka ngjan kur Kosova del prej Jugosllavisë? I bashkohet Shqipërisë, natyrisht. Mirëpo, megjithatë, jo tamam ashtu. Sërish, u tha që s’ka dyshim se ne jemi për bashkim kombëtar, por meqë s’jemi për luftë atëherë e kemi pavarësinë e Kosovës si një fazë të ndërmjetme drejt bashkimit kombëtar. Pavarësia e Kosovës na doli si një kompromis i ri që është zëvendësim për kompromisin e vjetër, Republikën e Kosovës, gjithnjë në rrugëtimin drejt bashkimit kombëtar. Ama, mu sikurse një dekadë më parë, përsëri edhe në vitet e ’90-ta, kompromisi po bëhej qëllim: ‘pavarësia’ u bë fjala kryesore e politikës kurse bashkimi kombëtar po zbehej në prapavijë.

Me daljen në skenë të UÇK-së, ishte e qartë se lufta çlirimtare për destinim të saj kishte bashkimin kombëtar. Brenda UÇK-së mbretëronte logjika se dikur kërkonim vetëm republikë e pavarësi meqë e bënim këtë me mjete paqësore. Tash, brohorisnin radhët e UÇK-së në marshin e tyre, luftën s’e ndalim deri në ribërjen e Shqipërisë – thjesht, nuk ia vlen të luftohet vetëm për pavarësi. Dhe, i tillë ishte betimi i ushtarit të UÇK-së, e tillë ishte edhe platforma politike e UÇK-së e cila shpërfaqej në komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të saj. Mirëpo, në fund të pranverës së vitit 1998, atëherë kur komandantë e përfaqësues të ndryshëm politikë të UÇK-së nisin takimet e para me diplomatë ndërkombëtarë ndërron puna sipas avazit të vjetër. Zonat Operative 1, 2, 3... të UÇK-së që shënonin viset ku jetonin shqiptarët në Ballkan, u zëvendësuan me Zonat Operative të Drenicës, Shalës, Dukagjinit, Pashtrikut e Llapit të kufizuara përbrenda Kosovës administrative. Pavarësia u rikthye si kompromis (drejt bashkimit kombëtar, natyrisht) për t’u bërë edhe njëherë qëllim i përbashkët i elitës (për pasojë të bashkuar) kosovare. Kompromisi i përkohshëm u bë qëllim i përhershëm.

Megjithatë, kësaj radhe, në dekadën e parë të shekullit XX, diçka ndryshon (për të keq). Në njërën anë, karta e luftës tashmë është e djegur kurse UÇK-ja është çarmatosur. Në anën tjetër, statusi i Kosovës u shkëput nga koncepti i së drejtës (për vetëvendosje). Për pasojë, Kosova ngeli si çështje pazari me Serbinë dhe fuqitë e mëdha botërore e së cilit pazar ende nuk i duket fundi ndonëse është shpallur edhe pavarësia. Nga Pavarësia ramë në Pavarësi të Ahtisaarit, kurse insistimi në Pavarësinë e Ahtisaarit e solli 6 Pikëshin e Ban Ki-moon-it. Mbase, elitat politike të cilat e kanë rikthyer qëllimin fillestar vetëm për ta braktisur atë një moment më vonë, doemos në një pikë përfundojnë tek kompromiset që nuk mundësojnë më ecjen përpara, por veçse u hapin udhën kërkesave për kompromise shtesë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: Piratët e Kosovës   Sat May 09, 2009 10:28 am

Kryetari dhe Qeveria e Kosovës janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare këtë vit dhe për organizimin e zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti. Si mund të shpjegohet kjo? Cilat janë motivet e qëndrimit të tyre?

Sikur ta kishin marrur përnjëmend pavarësinë që e kanë shpallur, sikur ta kishin seriozisht ndërtimin e shtetit, këta do të thonin që na nevojiten zgjedhjet e reja qendrore sepse tash jemi shtet i pavarur dhe se ka nevojë për konkurrencë të programeve partiake në shtetin e ri të pavarur. Do të thonin që kemi të bëjmë me ndërrim cilësor që kërkon zgjedhje të reja parlamentare. Porse, duket që ata s’besojnë që është ndërrim cilësor dhe - qe besa - nuk e kanë aq keq. Gjithnjë e më shumë po shihet se sa pak ka ndryshuar Kosova me shpalljen e pavarësisë dhe se si edhe ajo pak po tretet. Institucionet e Kosovës, thjesht, nuk e njohin UÇK-në dhe luftën çlirimtare. Ajo s’përmendet askund në Deklaratën e Pavrësisë (të miratuar në ditë pushimi, të dielën) dhe as në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (që, po ashtu, hyri në fuqi kur s’punon askush, pra të dielën). Një dalje formale e Kosovës nga Serbia u pasua me forcim përmbajtësor të Serbisë brenda Kosovës. Strukturat e Serbisë dhe mallrat e saj janë të pranishme në Kosovë si asnjëherë më parë. Këtij realiteti të ri (sic.), bashkësia ndërkombëtare iu përgjigj me 6 Pikëshin e Ban Ki-moon-it: titujt e mediave tashmë nuk flasin për ulësen e Kosovës në OKB, por vetëm për atë se si njohjet e deritanishme nuk do të tërhiqen. Në anën tjetër, ekonomia në Kosovë është si mos më keq, papunësia e varfëria veçsa rriten, kurse korrupsioni dhe nepotizmi janë bërë fjalët kryesore kur përshkruhen krerët e institucioneve por edhe politikanë të tjerë. Duket që politika e Qeverisë është të bëjë investime që janë të dukshme për kamerat televizive (si godina shkollash apo asfalt rrugësh) ngjashëm sikurse pritjet që kryeministri dikur ua bënte qytetarëve të thjeshtë (kam harruar nëse kjo ishte të marteve apo të premteve) deri në momentin kur këto s’ishin më interesante për kamerat. Paralelisht, nga Qeveria vazhdojnë të kolonizohen të gjitha bordet e menaxhmentet e ndërmarrjeve shoqërore e publike me njerëzit e besueshëm (sepse të dëgjueshëm). Të gjithë njerëzit e kryeministrit paguhen jo aq për profesionalizmin e tyre sa për lojalitetin e tyre, disi ngjashëm sikurse Qeveria e Serbisë e cila arsimtarin apo mjekun e strukturave paralele në Kosovë nuk e paguan për punën a shërbimet që ai u jep qytetarëve serbë të Kosovës por, para së gjithash, për lojalitetin e tyre ndaj politikës së Serbisë në Kosovë.

Koalicioni aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk është i brengosur shumë se çka ngjan nëpër komuna, prandaj edhe pushteti lokal nuk është aq interesant për ta. Tenderat, privatizimi dhe bizneset e mëdha nuk lidhen me pushtetin lokal por me atë qendror. Paratë nuk janë në Rahovec e Shtime, por në Prishtinë. Janë zyret e Qeverisë në Prishtinë dhe restorantet luksoze, po ashtu në Prishtinë (dikush do të thoshte edhe në Maqedoni), ku kalkulohet e manipulohet me shifra shtatëshifrore, e jo nëpër komunat e Kosovës. Edhe në pushtet komunal mbase mund të vjedhësh ama gjithsesi jo sikurse në atë qendror. Ky është shpjegimi i lehtësisë me të cilën Kryetari dhe Qeveria e Kosovës janë për zgjedhjet lokale e kundër atyre qendrore. Përfitimi material e financiar është qendror në qendër, ndërkaq, është periferik në periferi. Nëpër komuna ka pak para dhe shumë territor. Në qytetin e Prishtinës ka shumë para dhe pak territor. Kryetari dhe Qeveria e Kosovës i duan paratë e Kosovës dhe s’çajnë kokën për territorin e Kosovës. Më saktë sesa të thuhet që “ata duan para”, duhet të thuhet se “ata duan më shumë para”. I shesin pasuritë e Kosovës përmes privatizimit që është veçse piratizim (ku s’brengosen se çka e si po shesin, por vetëm sa para u mbesin atyre në xhep nga shitja). Dhe ia zvogëlojnë e copëtojnë Kosovës territorin nëpërmjet decentralizimit (duke shpërfillur që në çerekun e territorit të Kosovës po legalizohet kontrolli i Serbisë meqë paraprakisht nuk po shpërbëhen strukturat paralele të saj). Jo vetëm që s’ka përpjekje serioze të institucioneve të Kosovës për ta integruar veriun e Kosovës, por ata tash janë shumë të gatshëm edhe ta dezintegrojnë Anamoravën përmes decentralizimit i cili po ndërlidhet gjithnjë e më shumë me zgjedhjet e ardhshme lokale. Kush të na e dëshmojë këtë më mirë përpos vetë Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Feratit. Ai në çdo deklaratë të tij asnjëherë nuk e lidh zbatimin e decentralizimit me pëlqimin e shqiptarëve (në komunat përkatëse që do të copëtohen) por vetëm me atë të serbëve (në komunat e reja që do të krijohen). Në Kosovë zgjedhjet përbrenda ofertave të sistemit tradicionalisht dhe para së gjithash kanë qenë zgjedhje e sistemit si të tillë i cili, duke qenë paraprakisht i zgjedhur nga tjetërkush, legjitimohet nëpërmjet votimit nga ana e qytetarëve. Tash së fundi Sadri Ferati po na tregon se në këtë vendin tonë anti-demokratik jo vetëm që votimi i shqiptarëve nuk është zgjedhje por legjitimim i sistemit politik (siç e kemi ditur gjithmonë), por edhe se dalja e serbëve në zgjedhjet lokale do të bëhet për hir të legjitimimit, kësaj radhe të decentralizimit, e jo si zgjedhje përnjëmend.

Mirëpo, a është e vërtetë që decentralizimi nuk legjitimohet përveç nëse serbët dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale? Nuk është e vërtetë. Nëse mbahen zgjedhjet lokale, atëherë jo serbët por shqiptarët që marrin pjesë në to i legjitimojnë komunat me shumicë serbe. P.sh. kush kandidon a voton në Lypjan, këtë e bën për një komunë të re të Lypjanit që është komuna e Lypjanit minus tetë fshatra që ia merr Graçanica (pa marrë parasysh se a votojnë serbët në Graçanicë dhe fshatrat përreth). Njësoj, shqiptarët që kandidojnë a votojnë në komunën e Gjilanit, këtë e bëjnë për një Gjilan tjetër prej atij që e njohim, për një Gjilan të kafshuar në jug nga Parteshi dhe në veri nga trefishimi territorial i Artanës (ish Novobërdës). Me zgjedhjet e ardhshme lokale që e legjitimojnë decentralizimin e aprovuar në Kuvendin e Kosovës me disa prej atyre turboligjeve të Planit të Ahtisaarit, do të legjitimohet një Kosovë përplot vrima të mëdha e të vogla – një Kosovë që do t’i përngjajë djathit zviceran. Pra, decentralizimi legjitimohet jo vetëm nëse dalin në votime edhe serbët, por nëse dalin edhe vetëm shqiptarët, pa marrë parasysh a dalin serbët. Decentralizimi nuk i krijon vetëm 5+1 komuna të reja por, për pasojë, i transformon edhe shtatë komuna të tjera: Mitrovicën, Prishtinën, Lypjanin, Artanën, Dardanën, Gjilanin dhe Vitinë. Qytetarët shqiptarë të këtyre komunave në zgjedhjet lokale të radhës duke votuar bëhen legjitimues të decentralizimit.

A mund të ketë qenë kaq i mençur Sadri Ferati me këtë taktikë? A mund të jetë kjo ide e tij që të thuhet se nëse nuk dalin serbët atëherë nuk paskemi decentralizim të legjitimuar? Jo, assesi. Atë çka Pieter Feithi ia thotë atij privatisht në anglisht, Sadri Ferati (që nuk e di mirë anglishten) na e thotë mandej neve publikisht në shqip. Rregullimin e brendshëm territorial dhe administrativ të Kosovës ia kemi lënë në dorë një përkthyesi që ka nevojë për përkthyes. Zaten, sikurse edhe çështjet e tjera që ua kemi lënë përkthyesve të tjerë që kanë nevojë për përkthyes e të cilët mbajnë emrat Hashim, Fatmir, Jakup, Fatmir etj. E, ndoshta, megjithatë, decentralizimi i territorit dhe piratizimi i pasurisë janë të ndërlidhura edhe nga ana tjetër: po nuk e zbatuan decentralizimin nuk i lënë të vjedhin pastaj, ose, madje ua qesin në shesh (të prokurorisë) hajnitë e moçme por gjithnjë të pasluftës.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: Maskimi i ndërsjelltë   Sat May 09, 2009 10:28 am

Ashtu sikurse që PCN-së dhe EULEX-it i nevojitet Qeveria e Kosovës për ta maskuar gjithëfuqinë e tyre, edhe Qeverisë së Kosovës i nevojitet PCN-ja dhe EULEX-i për ta maskuar pafuqinë e saj. Ato janë nevojë e madhe e njëra-tjetrës.

Fuqitë ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, dhe të EULEX-it, me në krye Yves de Kermabonin, janë qeverisje me Qeverinë. Pushteti suprem i Pieter Feithit konsiston në masat korrigjuese të cilat, sipas nenit 2.1.c. të kapitullit IX të Planit të Ahtisaarit, “... përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në anulimin e ligjeve apo të vendimeve që miratohen nga autoritetet e Kosovës”. Një paragraf më poshtë thuhet edhe që PCN-ja, sipas nevojës, do ta ketë autorizimin ta sanksionojë apo largojë nga detyra çdo zyrtar publik apo të ndërmarrë masa të tjera.

As në anën tjetër nuk është ndryshe. Neni 3.b) i Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së, thotë që për mbajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendit publik dhe sigurisë, EULEX-i do të mundet edhe “... t’i kthejë mbrapsht ose anulojë vendimet operacionale të marrura nga autoritetet kompetente të Kosovës”. Ndërkaq, në pikën (h) të të njëjtit nen thuhet që EULEX-i, për po atë qëllim, ka të drejtë të marrë mbi vete përgjegjësi të tjera, pavarësisht apo në përkrahje të autoriteteve kompetente të Kosovës.

Pra, nuk bëhet fjalë vetëm që PCN-ja dhe EULEX-i janë qeveri mbi qeverinë, se janë instanca mbiqeveritare në Kosovë. Ato jo vetëm që kanë fuqi ekzekutive mbi institucionet e Kosovës dhe jo vetëm që nuk ka institucion të Kosovës të cilat ato i japin llogari. Fundja, edhe qeveria mbi qeverinë është sërish qeveri. Mirëpo, jo edhe në këtë rastin tonë. Sepse, megjithatë, secila qeveri në botë i ka kompetencat e kufizuara. Dokumentet në të cilat bazohen PCN-ja dhe EULEX-i u japin atyre fuqi të pakufizuara ekzekutive. Shprehjet: “sipas nevojës”, “përfshijnë por nuk kufizohen në”, “përgjegjësi të tjera” apo “masa të tjera” (që nuk specifikohen), dëshmojnë se fuqitë ekzekutive ndërkombëtare në Kosovë i kufizon vetëm imagjinata e vetë Pieter Feithit dhe ajo e Yves de Kermabonit. Kësisoj, ata më shumë i përngjajnë mbretërve të shekullit para atij që e lamë pas.

Kur kësaj i shtohet fakti që këto fuqi ekzekutive janë të pakufishme edhe në kohë përveçse në hapsirën e veprimit brenda Kosovës, atëherë bëhet e qartë se si jetërat tona dhe e ardhmja jonë me ligj (po pra – me ligj) është në duart e këtyre dy njerëzve – plotësisht në mëshirën e tyre, plotësisht e varur nga arbitrariteti i tyre. Sigurisht që ka edhe faktorë të tjerë formalë e joformalë që ndikojnë në jetën tonë. Të jashtëm e të brendshëm. Mirëpo, këta të dy, janë brenda dhe mbi institucionet e Republikës që trumbetohet se shënojnë një epokë të re të vendit tonë.

Përderisa Kosova do të ketë qeverisje (të huaj) mbi Qeverinë (vendore), nuk do të kemi qeveritarë të lartë të cilët nuk do të jenë të dëgjueshëm e servilë. Ata e dinë që, më parë se nga votat e qytetarëve të Kosovës, varen nga goditjet e fuqisë ekzekutive të këtyre krerëve ndërkombëtarë në Kosovë. Prandaj flasin dhe sillen urtë e butë që të mos i zemërojnë padronët e tyre. Imagjinatën e Pieter Feithit dhe Yves de Kermabonit nuk e dinë as politikanët kosovarë. Dhe, ata nisin të imagjinojnë negativisht: çfarë duhet bërë e si duhet vepruar që të mos rrezikohen pavarësisht imagjinatës së këtyre dy shefave? Rezultati dihet: qëndrime fort të qullta, gjithsesi shumë përfundi pragut reagues të Feithit dhe Kermabonit. Servilizmi i politikanëve kryesorë natyrisht se nuk është vetëm ndaj këtyre dyve, por këta dy (e sidomos Pieter Feithi) janë nyje nominale të rrjetit që kërkon subordinim. Një filan ambasadori që do t’ishte i pakënaqur me Hashim Thaçin, pakënaqësinë e tij do t’ia përcjellte, përveç shtetit të tij, patjetër edhe Pieter Feithit. Askush më mirë se Hashim Thaçi nuk e di këtë gjë. Madje, as vetë Pieter Feithi.

Nuk është e rastësishme që EULEX-i ka uzurpuar pikërisht kontrollin në sferën e sundimit të ligjit. Policia dhe prokuroria në Kosovën e pasluftës nuk kanë qenë të lidhura aq me gjyqësinë por me politikën. Gjatë kësaj dekade, regjimi ndërkombëtar krijoi dosje të cilat, më parë se sa për t’u ngritur aktakuzat, u përdoren për t’u shantazhuar politikanët. Në këtë mënyrë, ata fituan politikanë shumë të dëgjueshëm dhe i maskuan në masë të madhe fuqitë e tyre ekzekutive duke mos pasur nevojë t’i përdorin. I udhëhequr nga paradigma e stabilitetit afatshkurtër, as EULEX-i nuk po vepron ndryshe prej UNMIK-ut. I ka marrur mijëra dosje por s’i prek dot zyrtarët e strukturave paralele të Serbisë, as të dyshuarit për vrasjet, dhunimet e deportimet e kryera nga forcat e Serbisë. Ndërkaq, sa i përket korrupsionit, një zyrtar i BE-së, mbase për shkak se ishte neveritur me deklaratat dyfytyrëshe të Kermabonit për mediat në Beograd dhe Prishtinë, më tregoi që EULEX-i qenka duke e shikuar mundësinë që ta arrestojë një zyrtar të rangut të mesëm të institucioneve të Kosovës. E qartë: peshqit e mëdhenj nuk i cenojnë sepse u duhen për stabilitet kurse nëse e arrestojnë ndonjë peshk krejtësisht të vogël atëherë s’do të dukej para publikut se kanë bërë ndonjë gjë. Prandaj: peshk i mesëm! E, për atë se si peshqit e mëdhenj s’çajnë kokën për ata të mesëm, s’besoj të ketë kush nevojë të bindet – Kosova do të mbetet stabile, gjithsesi.

PCN-ja dhe EULEX-i e ruajnë stabilitetin e Kosovës pikërisht nëpërmjet peshqve të mëdhenj që janë shumë të korruptuar por edhe shumë të dëgjueshëm për shkak të dosjeve të trasha që i kanë për ta. Edhe vetë PCN-ja dhe EULEX-i nuk duan t’i humbin këta njerëz. Dosjet për ta janë aty për të mos u hapur. Peshqit e mëdhenj, duke i mbajtur të disiplinuar partitë dhe mediat e tyre, u ndihmojnë PCN-së dhe EULEX-it që ta mbajnë në Kosovë ‘një ambient të qetë dhe të sigurt’, që të dërgojnë raporte pozitive në Bruksel për Kosovën në të cilën ‘shumë është bërë por edhe shumë ka mbetur për t’u bërë’. Arrestimi i peshqve të mëdhenj do të bënte që PCN-ja dhe EULEX-i jo vetëm t’i humbin ca adutë të rëndësishëm në ‘menaxhimin e krizës’ dhe ruajtjen e stabilitetit, por kjo edhe do të shkaktonte demaskimin e Pieter Feithit dhe Yv de Kermabonit si fytyra të autokracisë që janë, me ç’rast fuqitë e tyre ekzekutive do t’i ekspozoheshin publikut. Prandaj edhe s’e bëjnë këtë dhe as që e kanë ndërmend ta bëjnë.

Në anën tjetër, edhe Qeverisë së Kosovës dhe peshqve të tjerë të mëdhenj që mund të ndodhen jashtë saj, iu nevojiten PCN-ja dhe EULEX-i. Ata e duan sundimin ndërkombëtar dhe i përulen atij sepse përndryshe s’do të mund t’ia dilnin në krye me pakënaqësitë sociale, ekonomike dhe politike të qytetarëve. Pa PCN-në dhe EULEX-in, Qeveria e Kosovës dhe njerëzit e tjerë të fortë në politikë, do të zhvesheshin në pafuqinë e tyre para syve të popullit, i cili për pasojë s’do t’i duronte më. Sundimi ndërkombëtar në Kosovë, realisht, i nevojitet Qeverisë e jo popullit.

Ashtu sikurse që PCN-së dhe EULEX-it i nevojitet Qeveria e Kosovës për ta maskuar gjithëfuqinë e tyre, edhe Qeverisë së Kosovës i nevojitet PCN-ja dhe EULEX-i për ta maskuar pafuqinë e saj. Ato janë nevojë e madhe e njëra-tjetrës.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: Djegia e luftës   Sun Jun 07, 2009 11:26 am

Të mërkurën që vjen bëhen tetë vjet prej se u nënshkrua Marrëveshja e Konçulit. Kjo marrëveshje iu dha fund luftimeve në Luginën e Preshevës. Qysh nga titulli i saj (“Deklaratë për Demilitarizim”) kuptohet se qëllimi parësor i kësaj marrëveshjeje dyfaqëshe ishte çarmatosja. Por, çarmatosja e kujt? E UÇPMB-së, natyrisht. Jo e forcave të Serbisë dhe as largimi i tyre nga Lugina.

Marrëveshja fillon me shprehjen e shqetësimeve për sigurinë, stabilitetin dhe paqen (me këtë renditje të termave) dhe vetëm më pas ajo përmend diskriminimin dhe persekutimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Synimi gjithsesi ishte që të ndalet lufta e 2001-shit dhe jo të zgjidhet problemi njëshekullor i cili e solli luftën.

Në këtë marrëveshje iu bëhet thirrje qeverive të Serbisë dhe RFJ-së që t’i korrigjojnë politikat e Milosheviqit dhe t’i integrojnë shqiptarët në sistem. Thuajse problem ishte vetëm Milosheviqi (i cili na paska befasuar për të keq) e jo Serbia (e tillë siç e kemi njohur gjithmonë); thuajse shqiptarët e Luginës na e paskan dashur integrimin në Serbi (të cilën gjë ajo s’ua lejonte) dhe jo bashkimin me Kosovën (siç edhe janë deklaruar në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992).

Me këtë marrëveshje UÇPMB-ja zotohet që plotësisht do të “demilitarizohet, demobilizohet, çarmatoset dhe shpërbëhet”. Mbimbulimet e kuptimeve të këtyre katër nocioneve, tejpërcaktimi i domethënies, shpërfaqin aspiratën e papërmbajtur për ta zhdukur UÇPMB-në nga e cila, në momentin kur po zhbëhej, kërkohej që të pranonte se do të garantojë “hyrjen e sigurt dhe paqësore në sektorin B për Forcat e Përbashkëta të Sigurisë Serbe”. Si shpërblim për këtë, ish pjesëtarët e UÇPMB-së do të merrnin amnisti – natyrisht, pasi t’i kenë dorëzuar vullnetarisht armët – gjë që aludon se ata megjithatë ishin fajtorë, por ja që po ua falin.

Përveçqë iu bëhet thirrje Forcave të Përbashkëta të Sigurisë Serbe që “shqiptarët etnikë t’i trajtojnë me dinjitet e respekt dhe të mos iu merren shtëpitë dhe pronat”, këtë marrëveshje e bën bizare edhe konstatimi që UÇPMB-ja ia paska arritur ta “tërheq vëmendjen ndërkombëtare” dhe se tash “na paska ardhur koha që ajo t’i ulë armët”! E tërë lufta e shqiptarëve reduktohet, kësisoj, në një shfaqje ku kishim edhe spektatorë ndërkombëtarë, dhe tani ajo duhej mbaruar meqë ata na qenkan mërzitur ca. Aktorët duhej t’i dorëzonin armët tek sekretaria e teatrit dhe të dilnin jashtë për të vazhduar jetën normale. Kjo sekretari ishte KFOR-i i cili më pas do të bëjë asgjësimin e armatimit dhe uniformave, meqë shfaqja nuk do të jepej më sërish. Marrëveshja e këtillë i ngjan aq shumë rënies së perdes në mbarim të shfaqjes, gjersa ne mbetemi të habitur jo aq me fundin në dramë, sa me faktin se ajo që përfundoi na paska qenë dramë. Korniza katrore e cila na lejonte një pamje më të ngushtë sesa gjerësia dhe lartësia e skenës, kjo kornizë që kufizonte skenën e shikuar nga ne duke ia hequr asaj skajet rreth e rrotull dhe sidomos duke abstraktuar sallën e teatrit brenda së cilës ndodhej ajo, kishte bërë që drama të na dukej realitet.

Nuk e dimë se ku ndodhet nënshkruesi ndërkombëtar i marrëveshjes, Shawn F. Sullivan, i cili atëbotë kryesonte Zyren e NATO-s në RFJ. Por, e dimë që, ndërkohë, negociatori ndërkombëtar për Luginën, Pieter Feith, është bërë mbret në Kosovë, ndërsa nënshkruesi kryesor shqiptar, komandanti Shefket Musliu, vazhdon të jetë në burg. Dhe, kjo nuk është teatër – ai është në burgun e Dubravës. Ashtu si nuk është teatër por realitet brutal nënpërfaqësimi e diskriminimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, arrestimet dhe burgosjet atje. Pas demilitarizimit të UÇPMB-së, Lugina u pat militarizuar nga forcat e Serbisë si asnjëherë më parë. Në popullatë gjithnjë ka një lloj frike por edhe apatie, kurse në institucione lokale ndjenjë pafuqie. Kjo nuk varet nga zëvendësimet e figurave në Beograd, kjo nuk ndryshoi kur iku Milosheviqi e erdhi Koshtunica, apo kur iku edhe ky për t’ia lëshuar vendin Tadiqit. Në Luginë të Preshevës realisht sundon xhandarmëria: e përbashkëta e pushteteve në Beograd kur janë në pyetje shqiptarët. Marrëveshja e Konçulit nuk ishte vetëm rezultat i trysnisë ndërkombëtare mbi shqiptarët por edhe i trysnisë së politikanëve nga Prishtina të cilët, sidomos gjatë negociatave në Vjenë për statusin e Kosovës, na e kanë dëshmuar që e kanë harruar atë pjesë të Kosovës. Mbase, ata që mjaft lehtë e pranuan çarmatosjen e UÇK-së, nuk kishin turp dhe kishin interes që këtë t’ia kërkojnë me ngulm UÇPMB-së e mandej edhe UÇK-së në Maqedoni. Çarmatosja e ushtrive u pasua me politika të çarmatosura. Zaten, nuk janë problemi vetëm djegiet në luftë por edhe djegia e luftës.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Meteor
V.I.P
V.I.P


Numri i postimeve : 1386
Mosha : 30
Vendi : Në ferr...!!
Reputacioni : 22
Data e regjistrimit : 15/02/2009

MesazhTitulli: Kur do ta ndërrosh partinë?   Sun Jun 07, 2009 11:26 am

Demokracia në Kosovë është paradhomë. Aty presin politikanët e zgjedhur që të lobojnë te ndërkombëtarët. ‘Lobby’ në anglisht do të thotë paradhomë ose korridor. Këta s’hyjnë dot në dhomat kur aty merren vendimet, por vetëm presin korridoreve si pacientë. Politika kosovare nuk lobon, pra, vetëm jashtë vendit, por edhe brenda vendit.

Në skenën politike kosovare vazhdojnë kalimet nga njëra parti te tjetra. Këto kalime janë kalime figurash publike, por edhe kalime anëtarësh nga degët e nëndegët partiake. Kalimet e llojit të parë i kuptojmë nga konferencat për media që inaugurojnë kuadrin e ri në parti, ndërsa kalimet e llojit të dytë i kuptojmë sërish nga mediat që raportojnë për numra librezash të reja.

Secila parti përpiqet të na e mbjell përshtypjen se është e fuqishme dhe se po forcohet. Sigurisht, duke qenë të vetëdijshme se pikërisht përshtypja jonë do të mund t’i bënte njëmend të tilla. Mirëpo, të fuqishme për çka? Ku do të aktualizohet fuqia e tyre eventuale? Në votat që do t’i marrin në zgjedhjet e ardhshme, natyrisht. Jo në bashkimin e Mitrovicës ose në hapjen e fabrikave që do të punësonin mijëra vetë. Fuqia që ata duan ta rrezatojnë është fuqi mbi neve qytetarët e Kosovës – fuqi e marrjes së votës sonë dhe jo e të qenit në mbrojtje të të drejtave tona dhe në shërbim të plotësimit të nevojave tona.

Kalimet e anëtarëve dhe kuadrove nga partia në parti, janë trajtuar kryesisht nga prizmi i motiveve që mund të kenë pasur ata. Pa dyshim se është mirë të identifikohen arsyet e personit që porsa e ndërroi partinë, dhe asisoj të provojmë që të mësojmë mandej diçka më shumë për partinë ku ai aderoi dhe për partinë që porsa u braktis prej tij. Analistët përgjithësisht kanë konkluduar që kalimet nga kjo parti te ajo tjetra janë bërë për motive personale të kaluesve, thuajse ata që mbetën nëpër partitë e tyre të vjetra na paskan motive krejtësisht tjera. Mirëpo, diçka më e thellë se kaq besoj të jetë më e rëndësishme. Më parë sesa dilemat për motivet e një apo disa personave që e ndërrojnë partinë, pyetja e duhur që duhet ngritur është se çka i bën të mundura kalimet e tilla? Pra, cila është ajo rrethanë, cilat janë ato kushte që e bëjnë kaq të lehtë ndërrimin e partisë? Sepse, të gjithë jemi dëshmitarë, që kur zyrtarë të lartë partish shkojnë nga një parti te tjetra kemi veçse tronditje mediale por jo edhe tronditje partiake.

Trajtimi që i është bërë këtyre transfereve zakonisht ka pasur më shumë efekt maskues sesa demaskues, anipse ky mund të mos ketë qenë fare qëllimi i trajtuesve. Shumica e analizave që kanë shtjelluar kalimin nga njëra parti te tjera kanë rënë në grackën e dallimeve artificiale ndërmjet partive që vetë ato duan t’i projektojnë. Trajtimi që niste me motivet individuale të mundshme për ndërrimin e partisë ka përfunduar në potencimin e dallimeve ndërmjet partive. Trajtimi që do të niste me vetë partitë menjëherë do të konstatonte që, për dallim nga dallimet e tyre, e përbashkëta e partive kryesore është marramendëse: që të gjitha ato janë dakord me decentralizimin, privatizimin, ICO-në, EULEX-in, shuarjen e TMK-së, integrimet në BE dhe NATO, mosbashkimin me Shqipërinë, largimin e UNMIK-ut vetvetiu etj.etj.

Është pikërisht e përbashkëta e partive më të mëdha politike në Kosovë ajo që si një mal gjigant përbën shtratin e lehtësisë së kalimit nga një parti te tjetra pa kurrfarë sikleti. Duke qenë aq të ngjashme, ato kanë ura të shumta kalimi ndërmjet veti. Duke qenë kaq të ngjashme, ndërrimi i partisë nuk i ndryshon ato. Kur kësaj i shtojmë edhe historinë e tyre të promiskuitetit (fillimisht ishin të trija bashkë në koalicion dhe që prej atëherë dy nga dy: LDK-AAK dhe PDK-LDK), pohimet e llojit ‘shkova në partinë tjetër sepse aty ku isha s’mund të bëja ndryshime’ dalin qesharake. Nuk munda të kontribuoj për Kosovën në filan partie, realisht, e ka kuptimin se Kosova nuk po mund të kontribuonte më për politikanin në fjalë në atë parti.

Dallimet ndërmjet partive në Kosovë janë dallime të imazhit të tyre statik, të imazhit që është përshtypje kumulative për njerëzit e kryetarit, të imazhit pjesë themelore e të cilit është fytyra e buzëqeshur e kryetarit të partisë. Edhe analizat që u bëhen janë të inkorporueshme. Të jenë më transparentë, më aktivë, më të përgjegjshëm. Ose, thuhet që ata para këtyre kanë vjedhur më shumë a më pak, kanë rrejtur më shumë a më pak, varësisht se cilit taborr i takon analisti. Sidoqoftë, është e qartë që nuk bëhet fjalë për dallime thelbësore, për dallime në qëndrime ideologjike apo në projekte politike. Madje, ideologjia e partive politike e kërkon njëlloj konsistence dhe njëlloj vetëdije diferencuese, ndërkaq këta janë qysh e lyp puna – ashtu siç u thonë, ashtu bëjnë, sepse, ashtu u kanë thënë. E përmbushin ideologjinë e padronëve, jo për shkak të asaj ideologjie por për shkak të padronëve. Dhe, objektivisht, ai që e ka sovranitetin e ka me tamam ideologjinë dhe projektin politik sepse e ka mundësinë dhe garancinë për zbatimin e tyre: pushtetin e vërtetë. Gjithsesi, është ky Pieter Feithi, por edhe Tina Kaidanow e ca të tjerë andejpari.

Prandaj, problemi themelor në Kosovë nuk është se cila parti po lobon më shumë jashtë vendit për njohjet e pavarësisë, por fakti që edhe brenda vendit tonë të pavarur duhet lobuar tek vendimmarrësit e vërtetë, e që janë të huajt. Demokracia në Kosovë është paradhomë. Aty presin politikanët e zgjedhur që të lobojnë te ndërkombëtarët. ‘Lobby’ në anglisht do të thotë paradhomë ose korridor. Këta s’hyjnë dot në dhomat kur aty merren vendimet, por vetëm presin korridoreve si pacientë. Politika kosovare nuk lobon, pra, vetëm jashtë vendit, por edhe brenda vendit. Jashtë vendit politikanët lobojnë për njohjet e Kosovës, porse brenda lobojnë për njohjen e vetvetes nga qeveritarët e vërtetë ndërkombëtarë.

Në këtë situatë, barrikadimi në një parti të caktuar politike nuk është fare politik. Më e çuditshme është pse politikanët kosovarë nuk i ndërrojnë më shumë partitë sesa pse këtë tashmë e bënë disa prej tyre.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: Shkrime nga njeriu i idealit kombëtar-ALBIN KURTI...!!   Today at 6:30 pm

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Shkrime nga njeriu i idealit kombëtar-ALBIN KURTI...!!
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 4 e 4Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Shqipëria Natyrale :: Shqiptaret :: Shqiptaret-
Kërce tek: