UNMIK-u i frikësohet të vërtetës. Prandaj ndihet i pasigurt. Pasiguria ishte arsyeja kryesore pse UNMIK-i vendosi në momentin e fundit që seancën dëgjimore të Panelit Këshilldhënës për të Drejtat e Njeriut për rastin e 10 shkurtit ta bëjë të mbyllur, pa praninë e publikut. Me mbylljen e seancës UNMIK-u dëshiron ta mbyllë të vërtetën për 10 shkurtin – kush e vrau Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, kush e urdhëroi këtë vrasje, kush e planifikoi plagosjen me rrezik për jetë të Zenel Zenelit, humbjen e syrit të Hysni Hysenit, plagosjen e rëndë të Mustafë Nerjovës, kush u dha mbështetje politike policëve që shtienin në masë? Kjo seancë dëgjimore me tërë pafajësinë e vet (Paneli shërben vetëm si organ këshillues, vendimet e të cilët nuk janë obligative për UNMIK-un!) e tmerronte UNMIK-un për shkak se ajo të paktën e kishte potencialin të jepte përgjigje në këto pyetje. Këtë potencial e kishte vetëm po të ishte seanca e hapur – si e mbyllur ajo e humbte edhe këtë vlerë.
UNMIK-u e ka themeluar Panelin dhe synon përherë ta kontrollojë atë. Themelimi i Panelit e ka qëllimin e vetëm ta krijojë përshtypjen se edhe UNMIK-u monitorohet, ndërkohë që angazhimi i UNMIK-ut prej themelimit të këtij paneli ka qenë që ta minojë funksionimin e tij. Zyret e këtij paneli janë brenda ndërtesës së UNMIK-ut në Fushë Kosovë. Gjatë seancës më 19 mars përfaqësuesi i PSSP-së, Ernst Tschoepke, ua kishte përkujtuar anëtarëve të Panelit se UNMIK-u ishte themelues i Panelit në mënyrë që t’u tregojë atyre, por edhe Paul Troop-it e Jude Bunting-ut, përfaqësues ligjorë të familjeve të Moni e Arbenit, se në instancë të fundit UNMIK-u ishte shef edhe në këtë Panel.
UNMIK-u kishte refuzuar që kjo seancë të mbahej në sallën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për ta evituar, kështu, perceptimin e mundshëm që UNMIK-u është duke u gjykuar. Për shkak se është në natyrën e këtij misioni ta tregojë veten absolutisht të pagabueshëm. Kjo është gjithsesi shumë më e vërtetë për rastin e 10 Shkurtit, për të cilin UNMIK-u vazhdon ta fajësojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, madje edhe përkundër raportit të vetë prokurorit special Robert Dean, i cili pat konkluduar se policët kishin përdorur dhunë të tepërt dhe të paprovokuar.
Dean, megjithatë, nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të mësipërme. Për shkak se, në fund të fundit, edhe ishte ai punëtor i UNMIK-ut. Kush e dha urdhërin? Kush i shkrepi plumbat fatalë? Këto janë pyetjet. Plumbat i shkrepi policia e UNMIK-ut. Është e qartë tashmë se ishin policët rumunë (kontigjent policor ky që vazhdon të shërbejë në Kosovë nën petkun e EULEX-it) ata që i vranë Monin e Arbenin. Natyrisht policia e UNMIK-ut ishin ata që edhe e planifikuan ndërhyrjen më 10 shkurt. Këtë planifikim ata e kanë trajtuar edhe me krerët e tyre politikë, për shkak se policia kurrë nuk ndërmerr hapa pa urdhërin dhe mbështetjen politike.
Seanca dëgjimore ka potencial t’i bëjë të gjitha këto publike. Prandaj e tmerron UNMIK-un. Por edhe një gjë është e rëndësishme këtu: pse ndërhyri policia më 10 shkurt? Që ta hesht VETËVENDOSJE!-n. Që t’ua bëjë me dije qytetarëve të Kosovës se kërkesat e tyre janë të papranueshme për klikën politike. Kjo klikë vendore e ndërkombëtare tashmë ishte përcaktuar për Planin e Ahtisaar-it, përderisa demonstrata ishte mu kundër këtij plani. Intervenimi i policisë kishte për qëllim ta tregonte forcën e pushtetit kundër qytetarit. Prandaj i vranë Monin dhe Arbenin – që të tjerët të mos dalin kurrë më në rrugë. E në këtë ishin bashkëpjesëmarrës e gjithë klika politike. Prandaj asnjë prej tyre nuk flet për 10 shkurtin. Dhe nuk dëshirojnë që të flitet për të. Siç do të flitej në seancë të hapur.
Përveç kësaj, UNMIK-u kishte kërkuar që jo vetëm që seanca të ishte e mbyllur, por që në të të mos merrnin pjesë më shumë se babai i Arben Xheladinit, Shabani, babi i Mon Balajt, Kadriu, si dhe Zenel Zeneli e Mustafë Nerjovaj. Nuk e lanë të merrnin pjesë, madje, as Arlindën, të venë e Arbenit. Kjo është një poshtërsi e shumëfishtë. Për këtë arsye, familjet i autorizuan përfaqësuesit ligjorë që të mos pranonin që të merrnin pjesë në këtë idiotësi të UNMIK-ut, deri sa UNMIK-u të pranojë për mbajtjen e një seance të hapur. Seanca u shty më 4 qershor.
Lëvizja VETËVENDOSJE!