Isa Boletini në 140 vjetorin e lindjes së tij (1864-1916)
Prishtinë, 06.12.2003 (KeL) - Isa Boletini renditet dhe vlerësohet si një ndër figurat më të njohura të lëvizjes për liri e pavarësi kombëtare dhe si një personalitet i lartë i të gjitha kohërave. Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. Duke u lindur dhe rritur në një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare, që gëzonte autoritet në të gjithë rrethinat e Kosovës, që në moshë të re merr pjesë si luftëtar i Lidhjes së Prizrenit në betejën e Slivovës. Isa Boletini më 28 Nëntor 1912 së bashku me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin ngritën në Vlorë flamurin Shqiptar të pavaresisë. Në kryengritjen e Carrlevës dhe në kryengritjet kundra turqve ka udhëhequr forcat duke qenë komandat i tyre, në vitin 1913 ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar në Londër, ku dhe ka protestuar me forcë kundra grabitjes së tokave etnike të Shqipërisë. Në janar te vitit 1916 vritet pabesisht vetë i tetë nga forcat terroriste serbo-malazeze në Podgoricë.
Për familjen e Boletinëve nuk do të mjaftonin vetëm mizoritë e masakrat serbe por ato do të pasoheshin edhe nga persekutimi komunist në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht ne vitin 1943 grupi gueril komunist i Shkodrës i bën atentat të birit te Isës, Adem Boletinit. Ademi kishte kryer akademinë ushtarake dhe kishte qenë Komandant i Njësive që mbrojtën Kongresin e Lushnjes dhe ishte fanolist. Vrasja u bë me urdhër nga jashte në bashkëpunim me komunistët shqiptar.
Në vitin 1946 sigurimi i shtetit arreston të shoqen e Ademit, Adile Boletini (Bekteshi) me akuzën për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor. Mbas tre muaj në hetuesi ku u torturua çnjerëzisht nga Nesti Kopali e Zoi Themeli, dënohet me 5 vjet heqje lirie, vite këto që i kreu plotësisht. Në vitin 1947 Ismet Boletini, nip i Isës, mbasi ngre flamurin shqiptar në trenin Mitrovicë-Beograd, arratiset për Shqipëri, por këtu dënohet me 8 vjet burgim dhe vuan dënimin në burgun e Spaçit. Tafil Boletini, i nipi, bashkëluftëtar i Isës, megjithëse i moshuar, lidhet me tela dhe u dorëzohet jugosllavëve.
Në Kosovë, i biri i Isës, Asllani var veten në burgjet titiste, ndërsa djemtë e tjerë duke luftuar me armë në dorë kundër serbo-malazezëve, vriten dhe ekspozohen për terror në mes të Mitrovicës, kurse Skënderi pushkatohet në Tivar. Në vitin 1943 pushkatohet pa gjyq në Prizren i riu Rasim Dajçi, nip i Isës, nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin. edhe ky ushtarak i lartë, akademist. Një tjeter nip i Isa Boletinit, që dënohet nga diktatura komuniste në Shqipëri, është edhe shkollari akademist Enver Dajçi, zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja dhe si një ndër firmëtaret e parë që nënshkruan Rezolucionin për Pavarësinë e Kosovës në dhjetor të vitit 1943.
Dhe tragjedia vazhdon, Ismeti një nip tjetër i Isës, dënohet me vdekje, Muja dhe Kapllani arrestohen dhe dënohen me nga 20 vjet në burgjet serbe. Nje nip tjetër vritet gjoja aksidentalisht tek Ura e Ibrit në Mitrovicë. Ali Boletini, nip i Isës, dënohet me 20 vjet burgim dhe më pas arratiset për Shqiperi.
Këto vrasje e persekutime ndër breza me rradhe mbi familjen e Heroit Isa Boletini dhe të qindra e mijra shqiptarëve nga dora makabër e sllavo-komunizmit shqiptar dhe atij jugosllav deri në ditët e sotme janë fakte e dokumenta rrënqethëse të popullit tonë, që përveç vuajtjes dhe dhimbjes që kanë brenda, kanë lënë gjurmë të thella në historinë e saj. Në çdo përvjetor të shpalljes së pavarësisë krahas patriotëve të tjerë përkujtohet edhe figura burrërore e luftëtarit të madh kombëtar Isa Boletini..