Një vendim i qeverisë për rritjen e pagave 10 % të punëtorëve të administratës publike, sipas një përllogaritjeje të bërë nga televizioni Kohavision, ka shkuar edhe në favor të krerëve të lartë politikë.
Pagat: Sejdiu 2.873, Krasniqi 2.420, Thaçi 1.442 euro
Nga vendimi i 23 janarit kanë përfituar të gjithë të paguarit nga buxheti i Kosovës, me disa përjashtime. Kështu, pagat u janë rritur edhe kryeministrit e ministrave të qeverisë.
Në këtë mënyrë, paga e kryeministrit Hashim Thaçi nga 1.312 euro ka shkuar në 1.442. Ministrat që e kishin pagën 1.150 euro tashmë e kanë 1.265 euro.
Rroga i është rritur edhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, që i ka shkuar nga 2.200 euro në 2.420 euro, ndërsa pagat u janë rritur edhe deputetëve, të cilët në vend të 980 eurove sa kanë marrë deri më tash, do të marrin 1.078 euro.
Për ta bërë real ndryshimin, sipas këtij televizioni, është përkujdesur edhe presidenti i Kosovës. Paga e presidentit Fatmir Sejdiu tashmë ka mbërritur në 2.873 euro, dhe ai vazhdon të mbetet presidenti më i paguar i rajonit.
Fatmir Sejdiu, president i Kosovës – 2.873
Traian Basescu, president i Rumanisë – 2.500
Bamir Topi, president i Shqipërisë – 2.100
Boris Tadiq, president i Serbisë – 1.900
George Ivanov, president i Maqedonisë – 1.200
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, thotë se është në përfundim ligji për pagat e zyrtarëve të lartë politikë, që do ta ndalë praktikën e caktimit të rrogave nga vetë institucionet.
Pagat e zyrtarëve të lartë janë bërë shpesh objekt diskutimi publik. Presidenti Sejdiu propozoi që ta ketë rrogën prej 3100 eurosh vitin e kaluar, por u tërhoq pas presionit medial. Ligji për presidentin thotë se ai duhet ta ketë pagën më të lartë se kryeparlamentari Krasniqi për së paku 25%, gjë që nuk ndodh aktualisht. /KTV