Artana kundër decentralizimit
Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me 1 qershor 2009, u mbajt një konferencë për shtyp ku u paraqitën rezultatet e peticionit kundër decentralizimit të organizuar në komunën e Artanës. Para medieve të shumta u paraqitën Hysen Durmishi, Avdulla Gashi dhe Fidan Vllasaliu. Në vijim janë dhënë fjalët me të cilët ata iu drejtuan gazetarëve.
Hysen Durmishi: Institucionet e Kosovës në vend që të angazhohen që të ushtrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, ata po e bëjnë të kundërtën e saj. Po tentojnë që ta realizojnë decentralizimin që e ndan dhe e copton Kosovën përbrenda. Në mungesë të sovranitetit kemi pushtet ndërkombëtar me fuqi egzekutive ndërsa në mungesë të integritetit territorial do të kemi decentralizim në baza etnike.
Na thanë se decentralizimi është çmim për pavarësinë. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën ta zbatosh decentralizimin do të thot të punosh për interesa të Serbinë e jo për Kosovën.
Nëse decentralizimi realizohet në Anamoravë, atëherë Prishtina dhe Ferizaji do të mbushen me refugjatë shqiptarë nga komunat e Artanës, Dardanës, Gjilanit e Vitisë.
Së bashku me mua këtu janë edhe qytetarët e komunës së Artanës të cilët së bashku edhe me aktivistë të VETËVENDOSJE!-s kanë mbledhur nënshkrime për ta kundërshtuar decentralizimin. Në komunën e Artanës janë mbledhur gjithësejt 882 nënshkrime ose 76.56% të qytetarëve me të drejt vote. Peticionin e kanë nënshkruar pothuajse të gjithë qytetarët shqiptarë që ndodhen në komunën e Artanës por këtë përqindje e zvoglon numri i qytetarëve që ndodhen jashtë vendit si dhe ata që e kanë ndërruar vendbanimin në ndërkohë. Peticionin e kanë nënshkruar edhe 8 organizata të shoqërisë civile të komunës së Artanës. Ato janë: ‘Youth Voice – Zëri i rinisë’, ‘OVL-UÇK’ Artanë, ‘Rrjeti Rinor i Novobërdës’, Shoqata për Agrikulturë ‘Qyteti i vjetër’, Shoqata e grave ‘Iliria’, Shoqata e gjuetarëve ‘Kalaja’, ‘Kryqi i Kuq’ Artanë dhe ‘Agro Eko’.
Peticioni i nënshkruar nga qytetarët e Artanës si dhe peticioni i nënshkruar nga përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të Artanës do tu dërgohet institucioneve qëndrore të Kosovës, kuvendit komunal të Artanës. Do t’iu dërgohet edhe institucioneve ndërkombëtare përfshirë këtu edhe State Departamentin Amerikan, Këshillin e Evropës, Parlamentin Evropian etj.
Avdulla Gashi nga Llabjani: Ne qytetarët e komunës së Artanës – ish Novobërdës në bashkëpunim me Lëvizjen VETËVENDOSJE! kemi organizuar këtë peticion për të kundërshtuar decentralizimin.
S’duam decentralizim që paraqet enklavizim ku pasojat i bartin qytetarët e komunës së Artanës – ish Novobërdës. Me implementimin e këtij projekti famëkeq që ia merrë pushtetin shqiptarëve e ia dhuron Serbisë përmes strukturave paralele të saj. Ky është një fakt për diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve duke ua mohuar të drejtën e referendumit për të vendosur për fatin e tyre.
Metoda dhe forma e decentralizimit shqiptarët i bënë pakicë në komunën e Artanës – ish Novobërdës, dhe nuk do të ketë efikasitet ndaj shërbimeve civile për qytetarët.
Fidan Vllasaliu nga Artana: Ne banorët e komunës së Artanës ish Novobërdës nuk do të pranojnë decentralizimin. Ky process nga banorët e komunës së Artanës ish Novobërdës, konsiderohet politik i cili jo që nuk është në favor të qytetarëve, por në dukjen e tij praktike sjell probleme të fushave të ndryshme. Pra duke u bazuar në atë se çfarë na sjell ky decentralizim kemi dalë me kundërshtimin tonë, fillimisht duke shprehur pakënaqësinë tonë në formë peticioni. Përfundimisht ne banorët e Artanës ish Novobërdës nuk do pranojnë asnjëherë decentralizimin e Artanës i cili i bënë shqiptarët pakicë duke e favorizuar pa të drejtë komunitetin serbë.