Kongresi i Berlinit ishte Ai, që një pjesë të Shqipërisë ia dha Malit të Zi, në vitin 1878. Kështu pas këtij Kongresi, një pjesë e Malësisë së Madhe të Mbishkodrës, Ulqini, Tivari, Rozhaj, Plava dhe Gucia, i kaluan Malit të Zi, duke mbetur shumë shqiptarë jashtë kufirit administrativ. Ky akt i padrejtë u fuqizua edhe më shumë në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1913.
Malësia e Madhe, për vite të tëra, nëpër të cilën kanë kaluar shumë furtuna, i rezistoi kohës, duke ruajtur gjuhën, kulturën, traditën, identitetin e saj, dinjitetin dhe moralin. Por, për këtë vend legjendarë, ditët në vazhdim do të përkeqësohen edhe më shumë! Deri në fund të vitit 2003, në këtë territor i cili ka 257 km˛, jetonin mbi 90% të popullsisë shqiptare, për fat të keq, sot kjo gjendje ka ndryshuar, kjo për shkak të padrejtësive që bëhen ndaj shqiptarëve dhe jetës politike të kohës. Procesi i asimilimit të shqiptarëve daton që nga viti 1878, kur fillojnë që Fuqitë e Mëdha ta copëtojnë Shqipërinë, por në veçanti asimilimi dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve specifikohet që nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Politika sllave në atë kohë jepte pasaporta për shqiptarët të mëshova të ndryshme, gjoja se donte që t’u ndihmonte, por në prapavijë qëndronte politika që tentonte të bënte spastrime etnike.
Faza e parë e shpërnguljes së popullatës shqiptare nga trevat e tyre fillon nga viti 1970, ku shumica e tyre mërguan drejt SHBA-së. Në atë kohë Shqipëria ishte e izoluar nga regjimi komunist dhe kontaktet me të ishin shumë të vështira për të mos thënë të pamundura. Ndërsa Kosova në atë kohë, gjendej nën Jugosllavi dhe gëzonte statusin e krahinës autonome. Faza e dytë e shpërnguljes ishte viti 1990 – 1995. Kjo fazë do të sjell një situatë shumë të vështirë për vendin, sepse fillon shitja e tokave dhe banesave të shqiptarëve, nga që shumica po e lëshonin vendin dhe me mendim se nuk do të kthehen më në këtë vend i cili nuk ka perspektivë. Sot, 2/3 e shqiptarëve të Malësisë gjenden në SHBA. Politika antishqiptare shfrytëzon rastin dhe ndryshon demografinë e popullsisë duke i sjell nga veriu boshnjakët e duke i vendosur n qendër të Malësisë, të cilëve u jep kredi me kushte shumë të volitshme. Pseudo-politikanët tanë duke nxjerr nga goja e tyre vetëm fjalë “patriotike” nuk e shohin të rëndësishme shitjen e tokave dhe nuk reagojnë as nuk kërkojnë mbrojtje me anë të instrumenteve juridike. Mungesa e vetëdijes së politikanëve tanë që 20 vite, ka sjell këtë situatë në të cilën gjendemi sot. Me regjistrimin e popullsisë në vitin 2003, Malësia kishte mbi 12000 banorë, nga të cilët mbi 9600 ishin shqiptar. Sot shifrat pothuajse janë balancuar përgjysmë. Ardhja e popullatës boshnjake nga pjesa veriore e Malit të Zi dhe vendosja e tyre në pjesën e Karabushko Poles, nuk është asgjë tjetër, përveç projektit asimilues dhe diskriminues të popullatës shqiptare që jeton në trevën e Malësisë.
Nga viti 2007 deri në vitin 2010, numri i popullatës boshnjake është rritur për mbi 1000 banorë, çka do të thotë se numri total i tyre është mbi 3000 banorë. Pjesa më e madhe e tyre ka shtëpi të ndërtuara ilegalisht dhe shihet qartë mosndërhyrja e shtetit për të vendosur sundimin e ligjit, ndërsa një pjesë tjetër për një periudhë shumë të shkurtër i kanë fituar të gjitha dokumentet e banesave të tyre dhe të gjitha të drejtat tjera që ligjërisht duhet një periudhë afatgjatë, por e gjithë kjo bëhet me një qëllim të vetëm! E kundërta ndodhë me popullatën shqiptare. Sot nuk ekziston një vetëqeverisje lokale e cila do e bënte të mundur ekzistimin dhe mbrojtjen e qytetarëve të kësaj treve. Nga çdo parti politike është premtuar se nëse vijnë në pushtet do e themelojnë Komunën, por kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë. Disa parti të tjera e kanë kërkuar që në fillim komunën e Malësisë, por pastaj kanë thënë se nuk është koha për të pasur një komunë. Statistikat zyrtare tregojnë që sikur Malësia të kishte komunë, do të ishte në gjendje ekonomike më të mirë se shtatë komuna të tjera të cilat aktualisht ekzistojnë në Mal të Zi.
Më datën 27 maj 2010, organizohen zgjedhjet lokale në Malësi, ku marrin pjesë: një koalicion i përbërë nga tre parti shqiptare (Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Alternativa Shqiptare dhe Iniciativa qytetare), koalicioni tjetër i përbërë nga (Partia Demokratike e Socialistëve – Millo Gjukanoviq, Unioni Demokratik i Shqiptarëve – Ferhat Dinosha dhe një parti Boshnjake), Lista për Tuzin, Partia popullore Socialiste etj, ku zgjedhjet i fiton koalicioni i përbërë nga (PDS, UDSH dhe PB). Udhëheqësit e Unionit Demokratik të Shqiptarëve janë fajtor për situatën e krijuar në Malësi dekadën e fundit, sepse kjo parti, edhe pse e ftuar disa herë, asnjëherë nuk pranoi që të bashkëpunojë me ndonjë parti shqiptare, përveç me partinë në pushtet, e cila e kishte rregulluar fushën e shahut dhe ishte bërë gati që pionët t’i vinte në lëvizje. Për herë të parë në histori të Malësisë së Madhe të Mbishkodrës, pas fitores së këtij koalicioni, në Komunën Urbane të Tuzit do të vendoset edhe një simbol më tepër, flamuri boshnjak dhe kjo për shkak të patriotëve të rrejshëm.
Do përpiqem që në pika të shkurtra të analizoj këtë situatë duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare dhe instrumenteve juridik. Çështja e vetëqeverisjes lokale dhe e decentralizimit është mjaft e komplikuar, sepse duhen hartuar ligje të reja, duhet reformuar financa të reja të cilat janë të parapara për komunën në fjalë, duhet ngritur kapacitete lokale për të pasur një vetëqeverisje efektive etj, por për të pasur vetëqeverisje efektive, duhet të përmbushen disa kritere të cilat janë si më poshtë: të ketë kufijtë administrativ të përcaktuar; të ketë sistem zgjedhor demokratik, që prodhon organe legjitime; të ketë përgjegjësi dhe kompetenca, të përcaktuara dhe të garantuara me ligj; të ketë burime të mjaftueshme financiare dhe autonomi financiare për të përmbushur përgjegjësitë e saj; të ketë kapacitete njerëzore dhe administrative për të ushtruar përgjegjësitë dhe për t’u ofruar qytetarëve shërbimet e nevojshme. Nëse këto kritere nuk përmbushen, atëherë kuptohet se nuk ekziston shteti i së drejtës, por flitet për një shtet ligjor diktatorial. Vitet e fundit janë treguar shumë fakte të cilat vërtetojnë që Malësia mund të ketë Komunë të pavarur të saj. Gjithashtu, në zgjedhjet e vitit 2006 “Koalicioni për Malësinë” fitoi zgjedhjet për Komunë të plotë, por përsëri pushteti qendror i Kryeqytetit Podgoricë, nuk lejoi që të themelohet Komuna e plotë e Malësisë.
Por, të kthehemi tek instrumentet juridik; e drejta në vetëqeverisje lokale, është degë apo kategori e të drejtës kushtetuese e cila paraqet formën e udhëheqjes së bashkësive lokale ku qytetarët, direkt ose nëpërmjet përfaqësueseve që i zgjedhin vetë ata, vendosin për interesat dhe punët me rëndësi në kuadër të kufirit administrativ të Komunës në fjalë. Kushtetuta e Malit të Zi, vetëqeverisjen lokale e parasheh në nenin 22 të kushtetutës. Ndërsa neni 113 i Kushtetutës përfshin të drejtën e qytetarëve për të rregulluar dhe administruar punët publike dhe punët tjera në bazë të interesit të popullsisë dhe përgjegjësisë vetjake të tyre. Neni 116 i Kushtetutës përcakton fushat themelore që përfshihen në kompetencat komunale, të ardhurat buxhetore etj. Por, Komuna urbane e Tuzit nuk i gëzon këto të drejta. Shkelja e kësaj të drejte nga ana e pushtetit qendror, nën kujdesin e veçantë të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, nënkupton që pushteti qendror të centralizohet në Malësi dhe të bëhet ndarja administrativo – territoriale e Malit të Zi! Kjo do të thotë që kufijtë e Malësisë të zvogëlohen dhe mundësisht të zhduket çdo emër dhe çdo vend shqiptar.
Konventa për mbrojtjen e minoriteteve nacionale, në nenin 4 pika 1, parashikon mbrojtjen dhe barazinë e pakicave. Por, kulmi i serive të intervenimeve, rezolutave dhe projekt-dokumenteve të ndryshëm është personifikuar në Konventën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale në vitin 1985. Kjo Konventë vlen si një instrument modern afatgjatë juridik, praktik, i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e pushtetit lokal dhe t’u ofrojë qytetarëve zgjidhjen e problemeve lokale dhe më gjerë. Me fjalë të tjera, kjo konventë siguron (garanton) autonomi të lartë për pushtetin lokal. Pra, çdo projektligj i cili mund të hartohet nga Kryeqyteti Podgoricë, e që i shkel këto standarde që i ofron Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, është asimilues dhe diskriminues. Gjithashtu, Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e minoriteteve nacionale, mbron të drejtat e popullit shqiptar në Mal të Zi, duke e ruajtur nga asimilimi dhe diskriminimi, por për fat të keq, kjo Konventë nuk respektohet as në minimum.
Organi i Kryeqytetit Podgoricë (Komuna Urbane e Tuzit), nuk i përcakton dhe as nuk i parashikon kufijtë administrativ të pushtetit lokal, në të kundërt Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, përcaktimin e kufijve administrativ e sheh si një pikë shumë me rëndësi për pushtetin lokal. Politika asimiluese e Malit të Zi ka projekt që dita – ditës të bëjë sa më të vogël territorin e Komunës së Malësisë.
Këto janë disa projekte “politike”, të cilat rrezikojnë të zhdukin një popull autokton, një thesar të pasur kulturor dhe duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë në nenin 8 paragrafi 1, në të cilën garantohet mbrojtja e të drejtave kombëtare e popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, do të thotë që të gjitha vlerat kulturore dhe vlerat me rëndësi kombëtare duhet të mbrohen nga Republika e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se ka përzierje në punët e brendshme të shtetit të Malit të Zi, por përkundrazi ky është një hap pozitiv dhe demokratik me të cilin Shqipëria ndihmon integrimin sa më të shpejtë të Malit të Zi drejt familjes së Madhe të Evropës në të cilën të gjithë hezitojmë të shkojmë.
Burime
Elaborati për Fizibilitetin e formimit të Komunës së Malësisë/Tuz. (2008).
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Minoriteteve Nacionale. (1995).
http://conventions.coe.int/Treaty/en/Treaties/Html/157.htm. Strazburg.
Konventa Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Kushtetuta e Republikës së Malit të Zi. (2006).
http://www.skupstina.me/cms/site_data/ustav/Ustav%20Crne%20Gore.pdf.Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. (1998).
http://www.avokatipopullit.gov.al/Kushtetuta.pdf.Vetëqeverisja Lokale.
http://www.ads.gov.mk/WBStorage/Files/poglavje16_AL.pdf.Anton Lulgjuraj
Universiteti Europian i Tiranës
Fakulteti Juridik
Viti i I
Senator