|
|
| Adem Jashari | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Adem Jashari Fri Feb 20, 2009 2:32 pm | |
| Fenomenalë janë njerëzit e veçantë, të cilët me veprat dhe bëmat e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme në momente të caktuara të historisë. Një fenomen i tillë, me përmasa të piedestalit jo vetëm kombëtare, është ADEM SHABAN JASHARI, i lindur në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor të vitit 1955 dhe i rënë në pavdekësi më 6 mars të vitit 1998, po në Prekaz. Shkrimet e deritanishme që janë publikuar për Adem Jasharin, përveç në raste të veçanta, nuk lënë përshtypjen e analizave të thella studimore, në pasqyrimin me përgjegjësi dhe njohuri profesionale të këtij fenomeni unikat, jo vetëm në historinë shqiptare. Për më tepër, shumica e shkrimeve të deritanishme, janë shënime të zakonshme jetëshkruese, në të cilat vërehet qasja uniforme, stili i rënduar me figura tejet të përgjithësuara dhe mjaft të konsumuara në letrat tona. Përmasat heroike, sakrifikuese, të Adem Jasharit dhe të Jasharëve të tjerë të Prekazit, tani dëshmorë të kombit, janë përmasa të veçanta, unikate në historinë e qytetërimit botëror. Akti i heroizmit vetësakrifikues të JASHARËVE është akt fenomenal dhe si i tillë i takon një tipologjie së veçantë studimore shkencore. Fenomeni Adem Jashar, është fenomen sui generis, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që mund të paraqitet vetëm njëherë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve. Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij Shteti apo kombi? shkruar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74. Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike. Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga makineria më e tmerrshme që ka sunduar ndonjëherë në botë. Filozofi më i madh idealist gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, Perënditë dhe njerëzit, ndër të tjera ka shënuar: Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.) Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhnjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unikat, të papërsëritshëm në historinë e qytetërimit. Fenomen unikat vetëflijues Fenomeni Adem Jashar, ka ndodhur vetëm njëherë, ka ndodhur në kohë dhe hapësirë të caktuar, ka ndodhur në momentin vendimtar të historisë sonë. Fenomeni i tillë nuk mund të përsëritet. Ai është unikat, origjinor, autentik. Për ta sjellë në jetë Adem Jasharin dhe për të bërë të tillë çfarë ishte, natyra ishte treguar e pa kursyer. Ai ishte shtathedhur, i tillë si Akili, apo Gjergj Kastrioti. Hyji e kishte pajisur me mendje të kthjellët, me gjykim të shëndoshë dhe me veti vetëflijuese, në mbështetje të së mirës dhe urrejtje kundër së ligës. Nga historia kombëtare i kishin lënë mbresa të veçanta rrëfimet për Bajram Currin, Çerçiz Topullin, Oso Kukën, Azem Galicën e Selman Kadriun. Njëzimi i fuqisë fizike dhe mendore në qenien e tij përbënte tërësinë harmonike, të mbushur përplot me impulse pozitive, për të përballuar me sukses sfidat me të cilat e ballafaqoi koha. Fenomeni Adem Jashar, nuk do t` ishte në atë përmasë i kompletuar, po të mos ishte i biri i Shaban Jasharit, një burrë trim dhe atdhetar i kulluar, dhe biri i nënë Zahides, një grua amazone shqiptare. Nuk do të ishte fenomen me përmasa të tilla po të mos e kishin mbështetur në çastin vendimtar: vëllezërit, bashkëshortja, të afërmit dhe tërë familja e ngushtë dhe e gjerë, në momentin përmbarues të bëmës së tij heroike. Nuk do të ishte me përmasa të tilla fenomenal, po të mos ishte lindur në Prekaz të Drenicës, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1955. Në tiparet e fizikut të tij, hetojmë të gjitha vijat karakteristike të fytyrës, të flokëve, të hundës dhe të syve, krejtësisht identike me tiparet e Lekës së Madh. Po të vëmë përballë skulpturën e Lekës së Madh të punuar nga skulptori grek, 2300 vjet më parë dhe po ta krahasojmë me fizikun e Adem Jasharit në moshën e tij 35 vjeçare, do të vërejmë elementet më identike të mundshme të ngjashmërisë, sikur ndodh jo rastësisht me ngjashmërinë në mes njerëzve të një race. Pamja fizike e Adem Jasharit rrezaton forcë, qëndresë, heroizëm, patos revolucionar, pathyeshmëri. Në figurën e tij janë sintetizuar të gjitha elementet shpirtërore dhe fizike me përmasa të veçanta. Hapërimi i tij krijon përshtypjen e hapëruesit historik, të Marathonomakut të Madh, lajmëtarit, luftëtarit, vetëflijuesit, projektuesit të lirisë dhe bërësit të fitores. Më 5.6. dhe 7 mars të vitit 1998, Adem Jashari i kishte kënduar lirisë, i kishte kënduar tokës shqiptare, e cila edhe pse kishte filluar të digjej nga piromania sodomiste sllave, edhe pse do të lahej në gjakun e mijëra dëshmorëve e martirëve, qysh atëherë kishte filluar frymëmarrjen e lirisë. Parashikimi i Nostradamusit për Njeriun e Madh Fenomeni Adem Jashar, i përket profecive të parashikuesve më të njohur të historisë së qytetërimit. Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën. Rrëfimi mbi bëmat dhe qëndresën e Adem Jasharit, në mënyrë vegimtare është prezantuar edhe në parashikimet profetike të Mishel Nostradamusit, i cili ka paraparë me saktësi shumë nga rëniet e ngritjet në historinë e njerëzimit. Në një katrenë të Nostradamusit për Njeriun e Madh, thuhet: Veprat e vjetra do të përfundojnë Dhe nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh. Parshikues të mëdhenj, OMSCA,Tiranë, 1999, faqe 145. Po t`i analizojmë me vëmendje këto dy vargje, në kontest të kohës dhe hapësirës sonë historike, do të zbërthejmë enigmën parashikuese të Nostradamusit. Me aktin luftarak e vetëflijues të Adem Jasharit dhe të JASHARËVE, më 7 mars të vitit 1998 në Prekaz, përfunduan veprat e vjetra, përfundoi skllavëria dhe rrojtja zvarranike, përfundoi deliri i rrojtjes nëntokë, i jetës së ngjashme me jetën e urithit. Dhe, për të përfunduar përgjithmonë e vjetra shekullore skllavëruese: Nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh. Çatia e Kullës së Adem Jasharit ishte përshkuar me zjarrin e të gjitha armëve shfaruese të artilerisë së Mabusit, (Milosheviqit). Zjarri i predhave armike ra, jo vetëm mbi çatinë e kullës së Njeriut të Madh, por edhe mbi të gjithë Jasharët që qëndruan në Kështjellë. Gjithnjë duke analizuar profecitë e Nostradamusit do të hasim edhe në vargje të tjera mjaft kuptimplote: Një vrasje aq e egër, sa askush nuk mbeti i gjallë! Vepra e cituar faqe 126. Edhe ky konstatim vegimtar, sado që duket i përgjithësuar dhe mund të korrespondojë edhe me shumë ngjarje të tjera të mizorishme, që kanë ndodhur dhe ndodhin kudo në botë, të përkujton të veçantën e profecisë, së Nostradamusit, faktin real se, më 7 mars të vitit 1998 në Kullën e Qëndresës historike shqiptare, në Prekaz, asnjë kështjellar nuk mbeti i gjallë, mirëpo pikërisht atë ditë, filloi shembja e përgjithmonshme e sundimit të satanait serb në vendin tonë. Fenomeni i përjetësisë Fenomeni Adem Jashar, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unikat i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull dhënësi realist i lirisë. Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vendpelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë. Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken majat ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan infinitet, përtej të cilave pushon fjala. Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të Mabusit (Milosheviqit) të kohës. | |
| | | ILLYRIAN Admin
Numri i postimeve : 2043 Mosha : 34 Vendi : UNITED STATES OF ALBANIA Reputacioni : 35 Data e regjistrimit : 13/02/2009
| Titulli: Re: Adem Jashari Fri Feb 20, 2009 3:47 pm | |
| Une vete nuk kame fjale ta pershkruaj trimerine e Adem Jasharit kunder hordhive serbe, dhe kam sjelle biografine e Bacit Adem.. Adem Jashari lindi më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz dhe vdiq më 6 mars 1998 në Prekaz, ishte një hero dhe trim legjendar i Luftës së Kosovës. Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor 1955. Këtë vit, Shaban Jasharit babai i tij, krahas Festës së Flamurit, që e festonte për çdo mot, ju shtua edhe një festë tjetër - Ditëlindja e djalit të cilin e pagëzoi: Adem. Dhe ishte e natyrshme që mbi djepin e posa të lindurit në këtë ditë, Djepi të mbulohej me flamurin e Skënderbeut. Kështu ndodhi atë ditë në familjen Jashari, në Prekazin e Ahmet Delisë. Familjes se xha Shabanit iu shtua edhe një pushkë, në Drenicë jehuan krismat e pushkëve për flamur dhe ushtarin e posalindur të lirisë. Xha Shabanit ju duk se jehona e pushkëve që krisën për lindjen e Adem Jasharit po shpërndahej valë - valë nëpër Drenicë e Kosovë si jehona "Prite, prite Azem Galicën o heeejjj", e atij sikur ju duk se po ndëgjonte jehonën: "Prite, prite Adem Jasharin o heeejjj". S'do të ishte çudi që atë ditë, xha Shabani t'i kishte ndëgjuar të dy jehonat, se atë ditë e kaluara po e përcaktonte të ardhmen, ishin bërë një. Atë ditë, Flamuri - Lindja - krisma - jehona ishin determinim i një lavdije të madhe. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind në ditën e fitorevë më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në vazhdimësi në Prekazin e lavdive të përsëritshme. Në festë me krisma e këngë edhe vdekjen e bëjnë me krisma e këngë. Xha Shabani ishte i kujdesshëm me të gjithë fëmijtë, por ndaj Ademit tregonte një kujdes të veçantë, ndoshta pse i kujtohej dita e lindjes, i kujtoheshin krismat e pushkës dhe jehonat e përsëritura të atyre krismave në 28 Nëntorin e vitit 1955. Xha Shabani ishte bujk. Pas Luftës së Dytë Botërore, për një kohë pati ushtruar profesionin e mësuesit, por për shkak të veprimtarisë atdhetare ai do të largohet nga procesi mësimor. Ai pa ndonjë kundërshti vendosi të merrej me punimin e tokës dhe edukimin e fëmijëve në frymën e atdhetarizmes. Kështu po rritej Ademi së bashku me vëllezërit më të mëdhenj, Rifatin dhe Hamzën. Ademi kishte një interesim të veçantë për armët, për të bëmat e prekaziotëve gjatë historisë e sidomos i interesonte akti tepër burrëror i Ahmet Delisë dhe ndihma që ai i pati dhënë fqiut, që ishte sulmuar nga bandat serbe. Sopata e Ahmet Delisë, ajo që bandës çetnike i ndau kokat në dysh, ishtë bërë legjendë, legjendë e historisë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombëtar. Adem Jashari kishte një interesim të veçantë për Emin Latin, prekaziotin bashkëluftëtar të Azem e Shotë Galicës, të atij brezi trimash, që në gjithë shqiptarinë njiheshin për të bëme e trimëri. Kusheriri i tij edhe Bedri Jashari. Ndonëse ky brez i trimave të qartur të lirisë, Kosovës nuk i sollen çlirimin e bashkimin kombëtar, por brezave ju lan amanet: pushkët trimërore të lirisë. Ky amanet përcillej nga brezi në brez, nga luftëtari të luftëtari me porosi, që të përcillej si stafetë deri në fitoren mbi armikun e kombit. Prekazi në mënyrën më besnike e përcolli amanetin e luftëtarëve të lirisë, jo vetëm duke e mbajtur syrin në shënjestër, por duke përcjell jehonën e pushkëve të lirisë nga Prekazi në Drenicë e në Kosovë, jehonë që i mbulonte të gjitha tokat e pushtuara të Shqipërisë. A nuk e tregoi këtë edhe Kulla e Shasivar Alisë, në dimrin e ftohtë të vitit 1945? A nuk u përsërit kjo nga pasardhësi i Emin Latit me 13 maj 1981, kur Tahir Meha mbuloi me turp njësinë speciale të policisë beogradase? Të gjitha këto dhe shumë të tjera që s'u përmendën, lanë gjurmë të thella në edukimin atdhetar të Adem e Hamëz Jasharit dhe çetës së tij trime. Adem dhe Hamez Jashari do të betohen para varrit të Tahir Mehës, se do Ismet Peja të vazhdojnë luftën për çlirim deri në fitore. Dhe, ecen guximshëm rrugës së luftëtarëve kombëtarë, duke ngritur si në cilësi e në sasi numrin e luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, duke ngritur cilësin e luftës çlirimtare, me çka ndryshuan rrjedhat e historisë dhe hapen një epokë të re - Epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajten të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqen politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ndodh edhe të ndodhin ngjarje të rastsishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re. Adem Jashari nuk shkoi rastësisht në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Në përgatitjet ushtarake tregoi aftësi dhe cilësi të larta në përvetësimin e artit të përdorimit të armeve të ndryshme për luftën çlirimtare. Adem Jashari, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90, i shihte me optimizëm, prandaj sinqerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare. Adem Jashari dhe çeta e tij nuk ishin nisur në rrugën e luftës për liri për hirë të këtij apo atij lideri, pse ky apo ai i paskan sytë e zinj. Ata ishin nisur për çlirimin e Kosovës pa bërë llogari meskine, karieriste apo grabitëse. Ata e donin Kosovën e lirë e të pavarur. Ata ishin të liruar nga ideologjizmat, veç shqiptarizmës. Adem Jashari dhe çeta e tij ndryshimet politike që ndodhen në vitet 90 i priti me optimizëm, besoj shumë, por nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të zhgënjehen se kasta e "re" e politikanve po bëhej pengesë e rrjedhave të reja të historisë, po ngulfaste shpirtin luftarak të shqiptarëve liridashës. Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t'iu trokaste në porta. Ai do t'iu thotë shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t'ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit". Më fjalën e komandantit u pajtuan të gjithë. Dhe, nuk vonoi dita kur armiku do të trokas në portën e Jasharëve. Ishte mëngjesi i hershëm i 30 dhjetorit 1991, ku armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar Jasharajt dhe kërkuan dorëzimin e Adem Jasharit dhe Jasharëve tjerë. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim ju përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Ishte e qartë, çeta e Prekazit kishte vendosur epokën e luftës çlirimtare, ata mes jetës se burgut e të poshtërimit kishin zgjedhur jetën e lavdisë e të lirisë, me të gjitha pasojat që mund t'i kishte. Vetëm të guximshmit nëpër kohë të ndryshme i kanë ndërruar rrjedhat e historisë, kështu ndodhi edhe me Adem Jasharin dhe çetën e tij. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t'u përhapur më vonë ne Llap e Dukagjin, në Drini e kudo në Kosovë. UÇK po bëhëj shpresë për popullin dhe tmerr për armikun, armikut po i rrëshqiste dheu nën këmbë, pasigurinë e shihte të çdo kaçube. Adem Jashari ishte kudo. Ai po bëhej legjendë. Ai ishte kudo ku sulmohej armiku, ai ishte në çdo cep të Kosovës. Vetëm frikacaket nuk mund t'i besonin trimërive e të bëmave të Adem Jasharit, ata nuk dëshironin ndeshjen me armikun dhe sa herë që çeta e tij sulmonte e vriste policinë kriminale të armikut do të thonin: "Këta janë dorë e zgjatur e armikut, janë të Sheshelit apo të Arkanit etj.", - dhe kjo nuk ishte diçka e re, dikush duhej të mbulonte kolaborimin me Beogradin, por paraprakisht duhej akuzohej tjetri. Adem Jashari kishte shumë mundësi, ai kishte zgjedhur me ndërgjegje mundësinë e luftës së armatosur për liri e pavarësi, anipse ai i dinte mundësitë e veprimit luftarak të UÇK-së. Pas luftës se 26 nëntorit 1997, në Llaushë të Re, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, nga e cila armiku u tërhoq me bisht nën këmbë, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e Adem Jasharit. Kjo do të ndodhë me 22 janar 1997. Një bandë kriminele kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohësisë e guximit të familjes dhe ndihmes që erdhi nga çeta, armiku u tërhoq pa arritur qëllimin. Ato ditë e tërë Kosova sikur ishte në Lagjen e Jasharëve. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje mesazhin që kishte lënë armiku. Armiku ishte tërhequr i bindur se nuk kishte gjetur mënyren e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Armiku dëshironte qoftë edhe largimin e Jasharajve nga trojet e tyre, por Jasharajt nuk i lëshonin trojet stërgjyshore. Ata as të vdekur nuk donin të shkuleshin nga vendi i tyre, për çka kishin nisur luftën. Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt nuk e donin ikjen e poshtërimin, ata e dëshironin qëndresën, e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Armiku pas disfatës së 22 janarit kishte filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesit e hershëm të 6 marsit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë të Lisat Binak, në Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë me armatim të rëndë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit. Adem Jashari dhe çeta e tij sulmit armik ju përgjigjen me sulm. Lufta që zhvilloi Adem Jashari me shokë që e madhe. Sulmi i armikut vinte nga larg. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi, jo vdekja e Adem Jasharit nuk është vdekje është përjetësi. Lufta për Prekazin që e ashpër. Qëndresa ishte e madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja. Adem Jashari - legjendë, solli kualitet të ri në filozofinë dhe mendësinë e shqiptarëve për jetën, atdheun, lirinë për nderin dhe dinjitetin e kombit. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi hapësira të reja veprimi. Komandanti Legjendar i UÇK-së me jetën, veprën dhe lavdinë e tij i dha kualitete dhe përmasa të reja 28 Nëntorit - Festës sonë Kombëtare. | |
| | | | Adem Jashari | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|