|
|
| Naim Frashëri | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:12 pm | |
| NË DASHTË ZOTI
Nastradini ish qetuar Dhe po rrij duke mejtuar; Po përnjëherë u xgjua, Së shoqes i tha: "O grua, Nesërë jam për në veshtë, Se s'kam vatur këtë vjeshtë, Sindëkur vinja qëmoti." Plaka tha : "Në dashtë zoti." Nastradini i tha : "Unë S'e këllas zotnë në punë, E shoh vetë punën time, E nuk e vë nër mundime, Që të doj' a të mos dojë, Se nukë më flet me gojë." Kështu the, o jetëgjatë! Papo u ngrite me natë, More shportat e gomarë, Po s'të vate udha mbarë! Për rrush del njeriu i mjerë E sjell shkarpa shumë herë. Gjithë bota po punonin E udhëtë po ndrejtonin. Nastradinë kur e panë, E zun' e më nuk e lanë: Gjithë ditën gur' i gjori Mbajti edhe pagë s'mori. I këputur, i drobitur, I lodhur, i kahënitur, Natën në t'errët u kthye, Me pluhurë mbi qyrdye! Erth më der' e trokëlliti, E shoqja nga shkalla xbriti, Tha : "Kush ësht' aty më derë?" Pa tha Nastradin' i mjerë: "Në dashtë zoti, jam unë, Që vajç' e s'bëra dot punë!" Pa më nesëret një fqinjë, Q'ish i varfër e pa linjë, Erth e i kërkoi gomarrë, Duke thënë ca më parë: "Jemi pa buk' e pa ngrënë, Në mulli drithë kam shpënë, Gjer më tani është bluar, Po s'kam kafsh', o i uruar." Nastradini, pa mejtuar, Tha : "Për dru e kam dërguar, Ka vaturë që me natë, I varfëri veshgjatë." Ajy tha "e kam dërguar", Gomari palli në quar! Fqinja tha : "Pse më gënjeni, Të drejtënë s'ma rrëfeni? Ja se ku pëllet gomari, Qysh e ka marë druvari!" Nastradini tha : "S'kam parë Kshu, të besojnë gomarë! Me fjalën time s'je nginjur, Që jam sot plak e i thinjur, Po dëgjon gomarrë ç'thotë, Q'është pa mënt e flet kotë. Njeriu që dëgjon gomarrë, S'e ka punën mbroth e mbarë." Kështu tha, po të vërtetën E thosh gomari, të shkretën. | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:12 pm | |
| TRATHËTORËTË
Shokë, kemi ne mest tënë Shum' armik' e trathëtorë! Popo! mos u qoftë thënë! Veç që s'kanë gjë në dorë.
Harruanë mëmëdhenë Dh' e lanë kombinë tënë E një tjatërë na gjenë! Popo! mos u qofte thënë!
Lanë zonjën e lëvduar E zunë një kurvë shtrigë, Të ndyr' e të mallëkuar, Të fëlliqur e të ligë.
Lanë mëmën të xhveshur Dhe mundohenë për botë, Pa dhe bota duke qeshur U thotë: mundohi kotë!
Qysh u bënë Efialtë E nuk e njohin të mirën, Uthullën pandehin mjaltë Edhe dritë errësirën!
Buk' e mëmëdheut zëntë Tradhëtorët e pabesë! Dhe Zoti dërrmën u dhëntë, Kurrë mos paçinë pjesë!
Miqt' armiq i kanë bërë, Armikëtë miq i zunë, Qysh janë fyell të tërë! Ç'është kjo e madhe punë!
Fajn' e math kur do ta njohin Njerëzit e mallëkuar? Dritënë pse nuk e shohin, Apo janë të verbuar?
Janë së gjithash të marrë Dhe të liq me të vërtetë, Mëmëdheut bëjnë varrë, Po do të bienë vetë,
Se mbretëron e vërteta, S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë T'ish ashtu, qe prishur jeta, S'kish mbetur gjë e vërtetë.
Ata turpinë fitojnë, Nderr' e tyre posht' e hedhin Dhe armikëtë gëzojnë E në errësirët bredhin.
Nuk është kurrë haruar Dh'e mira dh'e lig' e shkretë, Të gjitha janë paguar, S'ka mbeturë gjë në jetë.
Lerini, pa do ta gjëjnë, Të vërtetën do ta njohin, Se tani s'e dinë c'bëjnë, Janë të verbër e s'shohin.
O, popo ç'turp kanë marrë! Janë bërë tradhëtorë Dhe s'janë më shqipëtarë, Se nga kombi hoqnë dorë.
Me të huajnë u bënë, Me armikn' e Shqipërisë, S'duanë gjuhënë tënë Armikët' e Perëndisë!
Ndjej, o Zot, se nukë dinë Se ç'bëjnë, janë mahnitur, Rrahin të prishin shtëpinë Pun' e lig' edh' e mërzitur.
Të gjorët janë në gjumë, Të vërtetënë s'e dinë, Do të mundohenë shumë, Pasdaj mënttë do t'u vinë.
Vëllazërin' e harrojnë Dhe kombin e mëmëdhenë, Dhe armikëtë dëgjojnë Edhe s'dinë se ku venë.
Hiqni dorë, hiqni dorë! Mblithni mëntt' e tupërohi, Mos u bëni trathëtorë, Se pasdaj do të pendohi | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:13 pm | |
| FALJA
Zot i math e i vërtetë Që kreve ç'shohëm në jetë, Edhe të tjerë që janë Pa funt pa krye pa anë, Edhe kudo je ti vetë, Syri yn tekdo shikon, Që nga lint e gjer tek përndon, Më çdo vënt të sheh fuqinë, Urtësin' e madhërinë, Falna gjithë mirësitë, Epna dituri e dritë, Tregona udhën' e mirë, Mos na lerë n'errësirë, Dhurona gjithë të mirat, Mërgona nga të pështirat.
Zot! Falna vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë, Epna dëshirë të msojmë, E të mirat të punojmë, Bëna të but' e të qetë, E të urt' e të vërtetë, Jetënë ta trashëgojmë | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:13 pm | |
| PERËNDIJA
Ç'sheh, është zot'i vërtetë, Ç'dëgjon, është zër'i tija, Gjithë ç'ka e s'ka në jetë, Eshtë vetë perëndia.
Mos shiko valëtë p'anë, Mos të gënjenjë rremeti, Të tëra një burim kanë, Gjithë ngrihen pej një deti.
Në det të math e të gjërë Çdo valë që të sheh syri, Atje është deti tërë, Po valëtë mirë qyri.
Kur ta zësh gjënë të bërë, Esht' ashtu me të vërtetë, Po ta vësh re gjat' e gjërë, Esht' ajy bërësi vetë. Dhe kush flet edhe ç'gjë flitet, Ç'duket e s'duket në jetë, Dhe kush sheh dh'ajo që shihet, Zot' i vërtet' është vetë.
Se e tërë gjithësia, Që nuk' i gjëndetë fundi, Eshtë vetë perëndia, Për atë s'ka vënt gjëkundi.
Eshtë në shesht perëndia, I verbëri s'munt ta shohë, Ajo është gjithësia, I dituri munt ta njohë.
Pe një lulezë kur shohim Dhe të vëmë re një fletë, Me dituri munt ta njohim Q'atje 'shtë zot' i vërtetë.
Eshtë në shesht perëndia, Sicilido munt ta njohë Po s'e mbuloi e padija, Njeriu tekdo munt ta shohë.
Kush do ta shohë të tërë, Të shohë mirë njerinë, Vethen' e tij re të vërë, Atje e gjen perëndinë.
Dhe parajsi dhe skëterra, Dhe engjëlli edhe djalli, Edhe gjithë ç'ka të tjera, Janë brënda tek i gjalli.
Ajy që ka mirësinë, Ka perëndin' e të mirat, Edhe kush ka djallëzinë, Ka djallë e ligësirat.
Më çdo anë e kërkova, Thashë: ku 'shtë perëndia, Po më pasdaj e mësova, Qënke ndaj mej' e s'e dija.
Kërkonja gjetkë ta gjeje Zotn' e math e të vërtetë, Ajy qënëkej ndaj meje, E paskësha unë vetë!
Me fjal' e me agjërime Nuk e gjen dot perëndinë, As me kreshm' e me kungime, Si punojn' ata që s'dinë
Trajstën' e ke plot me bukë, Edhe hiqesh si i mjerë, Dhe ke zën' e thua nukë, E lipën derë më derë.
Eshtë ndaj teje i gjallë, Ti e kërkon nëpër gurë, Në të rrem' e në përrallë, Andaj nuk' e gjen dot kurrë.
Pa s'vdes kurrë perëndia, Po kush vdes në jetë vallë? Gjë s'vdes, sepse gjithësia Eshtë gjithënjë e gjallë.
Qeshë diell, ishnja hënë, U bësh' uj' e balt' e erë, Yll e zok e dash kam qënë, Pa dhe njeri shumë herë.
Sa det i math e i gjerë Edhe sa mijëra valë! Sicil atje do të bjerë, Prapë soje do të dalë.
Mijëra shpirtëra ngrihen, Bijen mijëra të tjera, Vjen dimëri, lulet pshihen, I nxjer prapë në shesht vera.
Nj'është, po ka shumë ngjyrë, Duket sikur s'ka të ngjarë, E sheh fytyrë-fytyrë, Po 'shtë i njëjt' e i pandarë.
Ajy është trëndafili Edhe gjëmb' i trëndafilit, Ajy është dhe bilbili, Ajy dhe zër' i bilbilit.
Mos shiko ç'rrobë ka veshur, Eshtë brenda vet' i qetë, Syr' i t'urtit e sheh xhveshur, Veç ati s'ka gjë ndë jetë.
Zoti është gjithësia, Ajy është gjithë ç'janë, Po kush njeh vethen e tija, S'e kërkon më tjatër anë.
Dhe qelqeja u hollua Dhe vena, pa u përzjenë S'ka ven', është qelqe thua, A s'ka qelqe, është venë.
Unë ndaj teje një pikë, O det i gjer' e pa anë! Të hynj brënda më vjen frikë, Po s'hiqem dot dhe mënjanë.
Të kisha zën' e bilbilit, Gjithënjë do të këndonja Bukurin' e trëndafilit, Dhe kurrë të mos pushonja.
Po ti vetë je, o bilbil, Ti je edhe dashuria, Ti je edhe trëndafili Edhe bukuri e tija.
Ti je ç'është jet' e tërë, Ti je vetë gjithësia, Ti vetë njeri je bërë, More fytyrën e tija.
Oh! det i math e i paanë, Në një stamnë qysh ka hyrë? Ajy q'është gjithë ç'janë, U mbloth tok më një fytyrë.
Më çdo anë që shikova, Pashë mirë që je vetë, Të gjeta tek të kërkova, Zot'i math e i vërtetë.
Pe trupi shpirt është bërë, Edhe shpirti trup në jetë Eshtë bërë, një i tërë Gjithë ç'është, është vetë.
Paskëtaj, o shokë, kurrë Mos kërkoni perëndinë Nëpër mur' e nëpër gurë, Po shihni mirë njerinë.
Zëmr' e njeriut në jetë Eshtë vënd' i perëndisë, Esht' atje zot' i vërtetë, Det' i math i gjithësisë.
Ajy është gjithësia, Edhe udh' e perëndisë, Eshtë vetëm njerëzia, Q'i duhetë njerëzisë.
Mer dorën e diturisë, Pa ajo do të të nxjerë Gjer te fron' i perëndisë, Ndaj soje do të të shpjerë.
Esht' e vërtetë kjo punë, Mos qëndroni n'errësirët, Se këtë s'e gjeta unë, E kanë thënë të mirët | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:13 pm | |
| KORÇA O vëllezër shqipëtarë, Gëzohi që erth kjo ditë Kaq' e mir'e kaq'e mbarë, Që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit'e rezë, Që bie vëllazërinë E dëbon jetën e zezë Dhe ndarjen e marrëzinë.
Ta lusimë këtë ditë, Q'e bekoi zot'i vërtetë Dh'e dërgoi me shumë dritë, T'i mbes'emëri përjetë.
Sot e vumë gurr'e parë, Sa'sht'e bekuar kjo ditë! Zot'i math e pruftë mbarë E na dhëntë urtësinë!
Hapu, hapu, errësirë! Pa jakë tëhu, o dritë! Se arriti koh'e mirë, U gdhi nata, u bë ditë.
Sot niset një tjatrë jetë, Të rremenë posht'e shtije, Mbretëron fjal'e vërtetë, Dhe të mirat gjith'i bije.
Zot'i math qoft'i lëvduar, Q'e nxjer në shesht të vërtetën, Se ajo sij ka buruar, Pa e ndritur jetën.
Lumja ti, moj korç'o lule, Q'i le pas shoqet' e tua! Si trimi në ball'u sule, Ta paçim përjetë hua!
Kushdo që është sot burrë Dhe shqipëtar i vërtetë, Emëri s'i shuhet kurrë Dhe nderi i rron përjetë.
Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmblë, sa e gjerë! Sa e lehtë, sa e lirë! Sa e bukur, sa e vlerë!
Kjo 'shtë mëm' e mirësisë, Që bije qytetërinë, Gasthin e vëllazërisë, Njerëzin' e miqësinë.
S'jemi grekër as bullgarë, Asgjë tjetër nukë jemi, Jemi vetëm shqipëtarë, Në kët'emër nderr'e kemi.
Ky emr' është shum' i mirë, Se më s'jemi të gënjyer, Nukë jemi n'errësirë, E njohëmë gjën' e vjyer.
Perëndia na e lëntë Përjetë ta trashëgojmë, Edhe kurrë mos e dhëntë Ta humbim e ta harrojmë!
Të lemë mëmënë tënë E të marimë një shtrigë! Zoti mos e pastë thënë! Pun'e keq'e shum'e ligë.
O, sa qenë të gënjyer Ata që vuan për botë! Turp të math kanë rrëfyer, Punuanë fare kotë.
Pa mejtoni, o të gjorë, Efialtin, Pafsaninë, Që u bënë trathëtorë Dh'e gjenë më perëndinë.
Nga gjithë ç'kemi kënduar Për të njohur vetëhenë, Kaqë gjë kemi mësuar, Të nderojmë mëmëdhenë.
Se njerëstë gjithë vdesin, Po jeta s'mbetet e shkretë, Gjuha, mëmëdheu mbesin Të patundurë përjetë.
Me zëmërë të gëzuar Dhe me gjithë shpirt uroni! Zotërinjt' e zotëruar, Gjithë përnjëherë thoni:
Rroft' e qoftë Shqipëria Dhe kombi e gjuha jonë! Lulëzoftë dituria, Edhe ndihmës paçim zonë | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:14 pm | |
| GJUHA JONË
Vëllezër shqipëtarë! Të prekim urtësinë, Të zëm' udhën e mbarë, Të ngjallim Shqipërinë.
Shqipëria ka qënë Edhe po do të jetë, Po sot në ditët tënë Të metë të mos ketë.
E ka nderuar zoti Gjithënjë Shqipërinë, Ish fort mirë qëmoti, Do bëhet dhe taninë.
Sa ishte trimëria N'atë kohë të vjetrë, Kish emrë Shqipëria, Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.
Sa burra kordhëtarë Ka nxjerrë Shqipëria Më pastaj e më parë, Q'i shkruan istoria!
Ajo ish koh' e zjarrtë Dhe kish mundime tepër, Po sot pëndë dhe kartë Na duhet, nukë tjetër.
O burra, shqipëtarë, Të marrim dituritë, Se s'është koh'e parë, Tani lipsetë dritë.
Të shkruajm' gjuhën tënë, Kombinë ta ndritojmë, Gjithë ç'është e ç'ka qënë Ngadalëzë ta msojmë.
pa shihni ç'gjuh' e mirë! Sa shije ka e hije, ç'e bukur'edh'e lirë, Si gjuhë perëndie.
Shum'e bardhë kjo ditë Për gjithë shqipëtarët, Do na sjellë një dritë, Që s'e kishin të parët.
Kjo dritë do na bjerë Të gjitha mirësitë Dhe gjithë do t'i ngrerë Dëmet e marrëzitë.
Si lum kush zë të mbjellë, Lum kush vë këtë pemë! Se kjo ka për të pjellë, S'mbulohetë me remë. | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:14 pm | |
| FJALËT E QIRIRIT
Në mes tuaj kam qëndruar E jam duke përvëluar, Që t'u ap pakëzë dritë, Natënë t'ua bënj ditë. Do të tretem, të kullohem, Të digjem, të përvëlohem, Që t'u ndrinj mir' e të shihni, Njëri-tjatërin të njihni. Për ju do të rri të tretem, Asnjë çikë të mos mbetem, Të digjem e të qanj me lot, Se dëshirën s'e duronj dot. Unë zjarrit nuk i druhem Dhe kurrë s'dua të shuhem, Po të digjem me dëshirë, Sa të munt t'u ndrinj më mirë. Kur më shihni se jam tretur, Mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall' e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë, Unë jam në shpirtit tuaj, Mos më kini për të huaj, M'është falurë durimi, Andaj po digjem si trimi, Se ma k'ënda t'u bënj mirë, Të mos mbeti n'errësirë. Jakëni rreth meje rrini, Flisni, qeshni, hani, pini, Në shpirt kam dashurinë, Pa digjem për njerëzinë, Lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem, Dua ta djek trupn' e shkretë Për atë zotn' e vërtetë. Me zjarr ta djek mushkërinë E të tretem për njerinë, Bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. Unë dua njerëzinë, Mirësin' e urtësinë, Në bëhi shokë me mua, Në më doni si u dua, Njëri-tjetërin në doni, Të paudhë mos punoni. O zëmëra fluturake, Qasju pakë kësaj flake! Mase krahët t'i përvëlon, Po dhe shpirtin ta shënjtëron. Unë duke përvëluar, Njerëzit i kam ndrituar. Kam qënë mik me njerinë, Andaj i di e më dinë. Gjithë tuajt' i kam parë, Mëm' e at' e fis e farë, Si tani gjithë i kam ndër mënt, Që rrininë më këtë vënt. Edhe sot nër ju ata shoh, Se shpirtin e tyre ua njoh, Dhe unë si ju jam ndruar E jam përzjer' e ndryshuar, Pa jam bërë shumë herë Zjar e uj' e balt' e erë. Jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli. Edhe ndër qiej fluturonj, Edhe brënda në det qëndronj, Shumë herë fle në baltë, Diku ndodhem dhe në mjaltë Bënem qëngj e kec i pirë, Lul' e bar e gjeth i mbirë. Dua shumë fjalë t'u them, Po trëmbem mos i bënj ujem. E ku shkruhenë në kartë Fjalët' e gjuhësë zjarrtë? | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:16 pm | |
| Dëshira
Zot! Sot Jam, Kam, Shoh, Njoh, Rronj, Shkonj; Kam gas Dhe flas E them Të kem Ditë, Dritë, Jetë, Vetë, Ah, dua, Që thua, Të mos vdes, Po të mbes Përjetë Të ketë Shpirti im Pa mundim Shëndenë Të jenë Me mua Sa dua. Sonte jam gjall', E jam mirë, Po kam dhe mall E dëshirë, Zot i vërtetë I gjithësisë! Të rronj përjetë Ndaj njerëzisë! Ti ke në dorë, Çdo gjë që të duash; Nukë je i gjorë, Arrin që të thuash; Pa bëhenë gjithë ç'dua, Po të më dëgjosh mua, Le të bëhetë thua, Dhe gjithë janë bërë! Atë që thua ti vetë, Zot i math e i vërtetë! Ajo bënetë në jetë, Edhe mbaronet' e tërë! Ti epi jetë njerëzisë, Shto e beko dhe bagëtinë, Se ti je Zot' i gjithësisë, Në dorëz' e ke mirësinë Njerëzis' epi jetë të gjatë, Mundimet fare nga jeta ngreji, Djepinë shkret' e lugënë thatë Mos e shih kurrë, po mbushur leri. Fal Dhe ep Gjithë ç'ke Nga të mirat, E të pështirat Hidhi këtje, A vari më ndonjë grep, A mbuloji më ndonjë mal, E lërë vetëm mirësitë, Fal edhe dritë e jet' e ditë Le të prehet gjithë njerëzija E të mos ketë kurrë të këqija; Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë, Urdhëri yt, puna jote, Zotth' i math e i vërtetë, E v^ërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë Bëj si të duash, ç'të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë! | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:16 pm | |
| QIELLI
Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë, Fllad i ëmbël, toka hapur ka stolitë, Zogu i mëndjes po më sulet drejt nga qielli, N’hapësirat plot me afsh e dritë dielli. Herë bëhet shok e mik me yjet vetë. Herë gjer te çerdhja-e Kashtës shkon përpjetë. Nuk sheh tjetër po veç dritë bukurie, Vetëtimë e zjarr vështrimesh Perëndie. Një shkëlqim që s’ka fillim e s’ka mbarim... Kupëtim, fuqi pasqyrë-e Zotit tim... ?’është, ç’është kjo-e paana Gjithësi? Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti? Kjo e kaltër hapësirë e paanë. Këto drita që kufi e numër s’kanë? Këto yje trupergjëndë e faqeartë, Që vërtiten me nxitim e dritëqartë? Kjo natyrë dhe ky det, burim i jetës? Këto ligje, këto pamje të së fshehtës? ?’janë vallë këta trupa gjithë zjarre. Këto botëra plot dritë shkëlqimtare? Përplas krahët Kasht' e Kumtërit ngadalë, Posi shtegthi mu në çerdhen ku ka dalë Që një botë e re të lindë prej asaj Dhe të endet me të tjerat kjo pastaj. Si shigjetë ajo ecën, më s’qëndron, Nëpër qiellin vërtitet, vallëzon, Rend gjithmonë dhe qirinë mu në gji, Endacake, pa qëndrim e pa shtëpi. Po nga vallë vjen ajo posi shtërngatë, Me kaq vrull e derdhur leshërat e gjatë? Rrugn’e saj nuk mund ta gjejnë sytë tanë, Se vështrimet e njeriut të shkurtër janë. Mbështet këmbët mbi eterin dhe vërtitet, Përshkon qiejt tej e tej që të flladitet, Shumë i bukur je, o qiell i madhërishëm! Ngazëllues je, empir i pakufishëm! Fund e anë, jo më s’ka kjo hapësira, Mbushur është plot me trupa e shkëndira, Mund ta thonë dot të fshehtën qiellore Këjo gjuhë dhe kjo gojë njerëzore? O ti qiell dritëderdhës, magjiplot! Fund e krye me të fshehta ti je plot. Një të madhe mençuri fsheh ti në gji Të panumërt janë yjet që ke ti. ?’është vallë, ah ky ligj i madhërishëm? Drita, hiri i Krijuesit të fuqishëm. Dhe pse vdekjes s’i shpëton asgjë në jetë - Përveç Zotit që ka qenë e do të jetë - Nuk humbet dhe nukë zhduket asnjë send, Që të gjitha pranë Zotit zënë vend. Q’andej vijnë, atje kthehen përsëri, ?do gjë vdiret veç fytyrës së atij Edhe yjet aq të bukur, pamjedlirtë, Këmbakëmbës i ndjek vdekja e pashpirtë, Që të nxjerrë nga i riu plakn’e vdarë, Zoti vdekjen anembanë ka shpërndarë. Do të njohësh të vërtetën o shpirtdlirë? Asohere Gjithësinë vreje mirë! Si i ditur hidh një sy nga qielli i lartë! Të gjesh fron’e madhështisë së llagartë... Po ti hesht, o krimb i tokës, dhe dëgjo, Gjer te - e qiellit e fshehta ti mos shko! Një pik’ujë vrej në botë o i gjorë, Që të shohësh në të mijëra frymorë! Mençuri e Zotit shfaqet në çdo vend, Plotfuqin’e tij shikojmë në çdo send. Kur kaq drita dhe të fshehta ke përballë, Mbi të qenët dhe mosgjënë mos bëj fjalë! Para teje o ti det pa skaj i gjerë, Më vjen turp, ah, më vjen turp një mijë herë. Këto fara xhevahiri anembanë Nga e Zotit mbretëri një botë janë. Mbylle gojën, mos u ndje o ti bilbil, Krahët ulur rri te yti trëndafil! Që nga qielli mendja ime të kërcasë, Në të fshehtëzën e dashur të humbasë. Të lexoj “fytyrn’e e Zotit ke aty” Dhe Selinë të zbulojnë këta sy. Se ç’do bëhem pas kësaj më s’di ç’të them, Pas kësaj, ah s’do të jem, jo s’do të jem... | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:16 pm | |
| GJUHA E ZEMRES
Flet natyra në çdo çast në këtë botë Dhe të fshehtën që ka brënda shkoqur thotë, Herë flet me pëshpëritje, mengadalë. Her’ me fjaln’ e trupëzuar, her’ pa fjalë. Kaq të fshehta i thotë era trëndafilit, Këto thotë dhe rënkimi i bilbilit. Gjithë sendet dhe ç’përmban kjo gjithësi Nxjerrin shfaqin, kaq të fshehta dhe çudi. Reja, era, lumi, deti i shkumbëzuar, Malet, fushat dhe livadhet e bleruar, Qielli, yjet dhe të tjera një nga një, Flasin qartë, flasin bukur sa s’ka më. Prandaj zëmërës kjo gjuh’ i është dhënë Që t’i thot’ asaj të fshehtën e pathënë. Këtë gjuhë e dëgjojnë dijetarët, Rrugënjohësit e dijes, zbulimtarët. | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:17 pm | |
| PRANVERA
Moj pranverë që të ngjall me frymën tënde Vashë e brishtë dhe fytyrëzergjëndë! Jota është e natyrës pamja e dëlirë, Jotja është e lulishtes era e mirë, Ty mikeshë të çoi Zoti moj në tokë, Për të varfërit të bëri mik për kokë. Era jote ern’e mikes më sjell mua, Dhe vetit’e saj të shpirtit ti m’i thua. At’ i dhimsur për jetimët je pa fjalë, Hiri yt, moj bir për nënën që s’ka djalë, Dora jote rruzullim gjat’e gjerë E ka bërë nuse, dritë, ngjyr’e erë. Ngazëllim nga ti ka marrë Gjithësia Ujërat, drurët, mizat, gjithë shpezëria. Shpirt nga ti ka marrë toka e pajetë, prandaj botën po e shoh si dua vetë. Ti nga qiejët ke ardhur, moj pranverë, Ta bësh botën një lulishte plot me erë, Hir ke sjellë nga Selia ti e brishtë, E ke bërë botën krejt trëndafilishtë. Po si Qielli po qesh Toka e çelitur Po shkon lumi mu në mes duke buçitur. ?do mënjollë, bimë e dru veshur me fletë Veç nga ti, moj, kanë marrë vlag e jetë. Njeri kryet me kurorë prej floriri, Tjetri prehrin plot me copa xhevahiri Shkundërmon nga era bota anekënd Plot me perle, lale, ar dhe me ergjënd, Flladi, prozhmet, zogjtë, ujët ndër burime Janë mbushur plot me tinguj, ligjërime. Moj pranverë! Meqë ardhur ti na ke Si kujtim të Perëndisë, moj te ne, Hidh një sy mbi varrn’ e mikes... që zymbyli Nga savani të shpërthej’ e trëndafili, Një nargjiz nga sytë e dehur, të begatë, Një zymbyle nga cullufeza e gjatë! Kur të kthehesh tjetërherë - më dëgjo! Po s’qeshë unë, sipër varrit më kalo! Ndalu pak te dheu i varrit dhe atbotë Posi vesë derdh mbi mua ti ca lotë! Që të mbij’nga balta ime trëndafili, Dhe nga eshtërat të dalë, moj zymbyli. | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:17 pm | |
| LULJA...
N’atë kohë kur ky Dielli si fener Si dhe Toka edhe Hëna - ish eter, Dhe kur Toka, Hëna, Dielli shkëlqimtar U bën’ avull dhe u mbushën plot me zjarr, Dhe nga Dielli na u ndanë Tokë e Hënë Pa u nda dhe Hëna shpejt nga Toka - nënë, Dhe çdonjëri na u bë në hapësirë Yll i zjarrtë që ndriçoi në errësirë, Dhe u shfaq pastaj ky Dhe që vuri korë, Që u mbush me ujë, bimë e plot frymorë. Gjatë kohës, pra, që ndodhën kaq çudi, O moj lule ku qe fshehur vallë ti?... | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:17 pm | |
| BILBILI
Ja, çdo yll që vezullon me aq dritë Në mes qiellit që është bërë porsi ditë, Krej ka heshtur, sytë çelur n’hapësirë, Një e fshehtëzë, dëgjimn’ ja ka përpirë. Hëna e ndritur në mes shtrojësë së qiellit Sipër vetes se ç’ka hedhur dritn’e diellit. Si ergjënd të duket Toka nga ndriçimi, Mbi të rënë kanë hije jasemini. Posi Hëna bërë bota anembanë, Qiparizi hedhur shtatin ka si zanë. Si fytyr’e mikes deti ndënë Hënë. Si nishanë mbi të hiet kanë rënë. Si një vashë është bërë kjo natyra Ta josh shpirtin me stolitë ngjyra-ngjyra. Si e ngrirë rri boriga e më s’flet, Gjithë lulet kanë çelur syt’e vet. Shpërndan ajri kudo vesën sumbullore Nëpër kopshte, nëpër drunj e hamullore. S’lëviz gjethja, që nga drunjtë rigon lot, Të mbyt era që ep kopshti luleplot. Heshtur kanë gjithë druthezat e botës Para Zotit që s’dëgjon nga dufi i shqotës, Asnjë zë tashti mbi dhe më nuk dëgjon, Përveç kroit mërmëronjës që rënkon. Këtu zgjuar vetëm unë jam tashti, Përveç meje këtu zgjuar s’ka njëri. Pa filloj të pyes për romuzet thellë Herë yjet herë Kashtën, herë Diellë, Herë Shënjëzat, dhe herë Hënën, Tokën Herë kthej nga jasemini unë kokën. Herë flas, ah, me të vdekurit e mjerë Me të dashurit, me zemrën shpresëprerë, Tek jam zhytur në mend me këmbë e tokë, Kur në qiellin e tetë, kur nën tokë, Befas vjen një i ëmbël zë që përvëlon Që të fshehtëzën e gjatë më tregon. Vjen nga qielli dhe më bëhet mik pa druajtje Vjen nga Zoti dhe më bëhet shok në vuajtje. ?’është, ç’është, Zot ky zë plot ëmbëlsi? Nga vjen vallë, nga vjen vallë - o Perëndi? Nga vjen vallë, Zot, kjo këngëzë plot joshe? A nga Toka, e nga kupa kaltëroshe? Veç një gjuhë thua ka tashti kjo botë Dhe me të të fshehtën hapur po na thotë. O bilbil, o vjershëtori këngëdëlirë, Këndona këtë të fshehtë të vështirë! Për mik-trëndafilin tënd gëzohu shumë, Herë qesh e herë qaj kështu si unë! Thuaja embël, të dëgjoj i dëshëruar, Ti hedh poshtë çka kam thënë e kam menduar, Se na joshi zemrën ky vajtimi yt, Ky rënkimi, ahu, përvëlimi yt. zemra brenda po më dridhet kaq shumë, Shok i zemrës t’u bëra tashti unë. Ja, prandaj ka heshtur gjithë kjo tërthore. Të dëgjojë këngën tënde qiellore. Ja, burbuqja kokën nga këmisha nxjerr, Të dëgjojë këtë fjalë si sheqer. Rrotullimin, o Merkur, ndalo një fije Dhe dëgjo këtë rënkim-o dashurie! O bilbil, me këtë vaj e psherëtirë Na këndo këtë të fshehtë të pavdirë! | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:19 pm | |
| EMRI I ZOTIT Zot i vërtetë, Bota e tërë Gjithë ç'ke bërë E ç'ka në jetë Të gjitha ç'janë Yje dhe diej, E dhé e qiej, Një gjuhë kanë, Që thotë emrin tënt! Ngado që shikonj, Atë emër dëgjonj. E shoh më ç'do vënt. Dheu, që rrimë ne, Duke mbleruar, E kam dëgjuar, Që thotë se ç'je. Yjtë me dritë, Duke kërcyer, E duke kthyer, Nat' edhe ditë, Re me gjëmim Zoqtë me fjalë, Deti me valë, Lumi me rrëmbim Lulja me erë, Dhe me bukuri, E me mituri, Kur çel në verë, Emrin tënt thonë, Ty të tregojnë E të lëvdojnë, Ty gjithë monë! Po njeriu, o Zot! S'ta di emrin tënt, Se s'gjendet me mënt. Ah! S'e thotë dot; Njeriu nukë munt, Se gjuhë s'i dhe Që të thotë ç'je, O fuqi pa funt! Dielli kur del, A tek perëndon, Zogu kur këndon, E gjethi tek çel, Bukur tregojnë, Emrin që ke, Rrëfejnë ç'gjë je, Dhe më gëzojnë. Në gjithë botë Vetëm njeriu s'di Rri si çilimi E s'mundet ta thotë! Me zë të zjartë, Donja të flisnja, Edhe t'i grisnja, Retë si kartë, Si vetëtima; Apo si lumi, Që s'e zë gjumi, Me oshëtima! Falmë nga togu Q'është e ç'shohëm Nga gjithë ç'njohëm, Zën' e një zogu, Të rri më një vënt, Edhe më lerë, Të them një herë, Një herë emrin tënt. | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:21 pm | |
| Vëllezër Shqipëtarë
të prekim urtësinë, të zëm udhën e mbarë, të ngjallim Shqipërinë..
Shqipëria ka qenë dhe do të jetë, po sot në ditët tona të metë të mos ketë.
E ka nderuar Zoti gjithënjë Shqipërinë ish fort mirë qëmoti, do bëhet dhe taninë | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:24 pm | |
| Shqipëri, o jetëgjatë, ty të kemi mëmë e atë dhe për ty do të luftojmë gjersa të të trashëgojmë. Për ty të gjithë, ditë dhe natë, mendohemi gjerë e gjatë, ti kurrë s´prishesh, s´shkretohesh, as drobitesh, as rrëgjohesh, më ke gjithë bukuritë e tëtëra mirësitë, ke fusha me lule shumë. lumenj të mëdhenj pa gjumë, male të lart' e të veshura, buzën e detit të qeshur, Mëje dritëz në dritë me të gjitha mirësitë.
Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë | |
| | | Meteor V.I.P
Numri i postimeve : 1386 Mosha : 38 Vendi : Në ferr...!! Reputacioni : 22 Data e regjistrimit : 15/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Tue Mar 03, 2009 3:32 pm | |
| LUTJA
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje, Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje! Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë, Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë, Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë, Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit, Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit, E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë, Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë, Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë, Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë. Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë, Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë. Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë, Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë, Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë, Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë. Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë, Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. | |
| | | ILLYRIAN Admin
Numri i postimeve : 2043 Mosha : 34 Vendi : UNITED STATES OF ALBANIA Reputacioni : 35 Data e regjistrimit : 13/02/2009
| Titulli: Re: Naim Frashëri Thu Apr 09, 2009 10:57 am | |
| Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit; vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Në vendlidje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-77). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Naim Frashëri | |
| |
| | | | Naim Frashëri | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|