Në qershor të vitit 1999 ka ndryshuar natyra e pranisë së Serbisë në Kosovë. Përderisa para kësaj kohe Serbia në Kosovë ishte e pranishme nëpërmjet ushtrisë e policisë, okupimit e gjenocidit, pas vitit 1999 ajo është e pranishme nëpërmjet strukturave paralele shtetërore brenda Kosovës. Pra, prania e shtetit serb në Kosovë nuk ka pushuar – ajo vetëm ka ndërruar formë.
Vetë UNMIK-u nëpërmjet Rezolutës 1244 i ka konsideruar këto struktura të Serbisë si ilegale, por në të njëjtën kohë UNMIK-u gjithnjë e ka toleruar ekzistencën dhe veprimtarinë e pranisë institucionale të Serbisë brenda vendit tonë. UNMIK-u ka ditur gjithçka për karakterin armiqësor të veprimtarisë së këtyre strukturave kundër vullnetit të popullit të Kosovës. Në një dokument që ish PPSP, Joachim Rucker, ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në vitin 2006, shpjegohet qartë jo vetëm veprimtaria e strukturave paralele, por madje edhe vendnodhja e tyre fizike (objektet dhe ndërtesat) nëpërmjet fotografive. Kjo e ngarkon UNMIK-un me përgjegjësi të dyfishtë: ai ka ditur gjithçka për strukturat paralele, i ka konsideruar ato ilegale, por i ka toleruar dhe shpeshherë bile edhe ka bashkëpunuar me to.
Të njëjtë gjë sot po e bën ICO dhe EULEX-i. Në Planin 6-Pikësh të OKB-së i arritur në bashkëpunim dhe negociata me Serbinë, thuhet që EULEX-i duhet të shtrihet në Kosovë “duke marrë parasysh qëndrimet e faktorëve relevantë në terren”. Disa terrene kontrollohen nga strukturat paralele të Serbisë. Javën e kaluar, pas protestave të punëtorëve serbë të gjykatave në veri të Mitrovicës, EULEX-i paralajmëroi se do të negocojë dhe bisedojë me strukturat paralele. Kurse vetë shefi i EULEX-it dhe ish komandanti i KFOR-it, Yves de Kermabon, në fillim të misionit kishte thënë që “ne do të bisedojmë me të gjithë”, duke i përfshirë edhe strukturat paralele të Serbisë. Kjo do të thotë që në vend se EULEX-i e institucionet e Kosovës të merren me shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë, ata po i pranojnë këto struktura si partnerë relevantë të barabartë.
Tolerimi i strukturave paralele është inkurajim i tyre. Këtë tolerim, strukturat e Serbisë nuk e shohin si gjenerozitet të institucioneve të Kosovës ndaj tyre por si arritje të këmbëngultësisë së tyre. Goran Bogdanoviqi dhe Oliver Ivanoviqi dikur ishin në institucionet e Kosovës. Ata janë investim 10 vjeçar i institucioneve të Kosovës, porse tash punojnë për Serbinë kundër Kosovës. Strukturat e Serbisë ua kanë bërë serbëve të Kosovës integrimin e të panevojshëm dhe të pamundshëm. Ata i mbështesin serbët financiarisht më shumë sesa institucionet e Kosovës për lojalitetin e tyre por, para së gjithash, i kërcënojnë e frikësojnë ata në mungesë të këtij lojaliteti. Njerëzit e strukturave paralele në Kosovë paguhen 50% më shumë sesa kolegët e tyre në Serbi, gjë që është tipike për admnistratorët kolonialë. Është e kotë të privilegjohen serbët përderisa i kanë strukturat e Serbisë mbi kokë. Në anën tjetër, nuk mund të ketë investime serioze ekonomike në Kosovë që do të përkthehej në mirëqenie të shtuar të qytetarëve përderisa Kosova ka struktura paralele brenda.
Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë nuk janë kurrfarë institucionesh anonime, por garnitura njerëzish konkretë të paguar nga Serbia për të zhvilluar veprimtari të hapur armiqësore kundër Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur t’i sigurojë emrat kryesorë të personave të cilët janë bartësit konkretë të funksioneve në strukturat shtetërore të Serbisë që veprojnë brenda në Kosovë. Nëse institucionet e Kosovës janë, siç po na thotë përditë Hashim Thaçi, për zbatimin e Kushtetutës, atëherë këta njerëz konkretë po e shkelin atë për çdo ditë. Qenia e tyre, vetë ekzistenca e tyre, madje më parë edhe se funksionimi e operimi i tyre, janë shkelje të ligjit dhe krim në Kosovë. Ja ku janë emrat – nevojitet vetëm veprimi. Por nëse, në të kundërtën, Qeveria nuk është për të ndërmarrë asgjë, atëherë, le të tregojë, e të mos i mashtrojë qytetarët e Kosovës që është për një rend juridik në Kosovë dhe kundër strukturave të Serbisë. Le t’iu tregojë qeveria qytetarëve nëse është për apo kundër këtyre strukturave të Serbisë me veprime konkrete.