ENVER HOXHA
.nga Shaban Demiraj
Mendimi teorik i shokut Enver Hoxha për problemet e historisë së gjuhës shqipe
Siç dihet, ndërmjet detyrave
të shumta që duhej të përballonte shoqëria e re shqiptare nën udhëheqjen e urtë të Partisë menjëherë pas Çlirimit, ishin edhe zhvillimi dhe studimi i gjuhës shqipe, të cilën populli ynë e ka ruajtur gjatë shekujve si gjënë më të çmueshme, të trashëguar nga të parët e vet. Prandaj në shkrimet, raportet dhe fjalimet e shokut Enver Hoxha u është kushtuar një vëmendje e posaçme edhe çështjeve që lidhen me lëvrimin dhe studimin e gjuhës sonë amtare. Me mprehtësinë që e karakterizonte, në raste të ndryshme ai ka përcaktuar edhe detyrat kryesore që i dilnin gjuhësisë së re shqiptare, dhe ka dhënë mendime e porosi shumë të vyera për zhvillimin e saj të shpejtë e të shumanshëm. Nga veprat e tij duket qartë se, gjithë duke i dhënë përparësi zhvillimit dhe studimit të shqipes së sotme letrare, shoku Enver herë pas here ka theksuar edhe nevojën e një studimi të thelluar të historisë së gjuhës sonë, madje, edhe të një studimi objektiv të marrëdhënieve të saj historike me gjuhët e tjera. Këtu po ndalemi vetëm në disa çështje kryesore:
Së pari, shoku Enver ka theksuar që historia e gjuhës shqipe të mos studiohet si diçka e shkëputur nga historia e popullit që e ka folur atë gjatë shekujve: “Gjuha dhe veprimtaria prodhuese, -- shkruan ai, -- janë dy thesare të paçmuara për të njohur historinë e një populli. Populli ynë i lashtë, si gjithë popujt e lashtë, ka pasë gjuhën e vet, pavarësisht se nuk janë gjetur dokumente të shkruara. Studimi i gjuhës sonë ka bërë disa hapa të mirë përpara, por mendoj se ky studim nuk duhet të mbetet si diçka e thatë, si një shkencë e palidhur me transformimet e shoqërisë në shekuj. Ne, marksistët, duam të dimë pse bëhen ndryshimet fonetike në një epokë të caktuar, pse ndryshoi fjala, tingulli, kuptimi? Këto ndryshime nuk u bënë vetvetiu, pse deshën njerëzit mijëra o qindra vjet më parë, por u bënë se u zhvillua jeta shoqërore dhe këto ndryshime i solli veprimtaria prodhuese, e cila zhvilloi njeriun dhe shoqërinë. Në rast se linguistikën e studiojmë të shkëputur nga jeta shoqërore, në rast se bën një analizë të palidhur me analiza të tjera, ajo nuk mund t’i shërbejë çështjes së madhe. Linguistika, mendoj unë, nuk shërben vetëm për të njohur gjuhën e tashme, por sidomos ajo duhet të shërbejë që nëpërmjet saj të njohim edhe historinë e lashtë të popullit tonë.”1
Shoku Enver këtu shtron përpara gjuhëtarëve dy kërkesa metodologjikisht shumë të nevojshme për zhvillimin racional të studimeve rreth historisë së gjuhës shqipe: 1) gjuhësia historike të mos jetë qëllim në vetvete, por t’i shërbejë një qëllimi më të madh dhe më të rëndësishëm; 2) kjo disiplinë gjuhësore të mos mbetet në sipërfaqe të gjërave, d.m.th. vetëm në hetimin e të dhënave dhe të dukurive, por të depërtojë sa më thellë për të zbuluar faktorët gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë, që u kanë dhënë shkas ndryshimeve të herëpashershme, që kanë ndodhur gjatë evolucionit historik të gjuhës shqipe.
Gjuhëtarët tanë, sidomos ata që merren me historinë e gjuhës shqipe, duhet t’i mbajnë parasysh këto dy kërkesa gjithmonë të kohës. Zbatimi i tyre i plotë është një kusht i domosdoshëm për të bërë studime shkencërisht të argumentuara dhe me përfundime të qëndrueshme për të zgjidhur problemet e mëdha të kulturës, të arsimit e të historisë sonë
Së dyti, shoku Enver Hoxha e ka ngritur më se një herë me forcë nevojën e studimeve ndërdisiplinore, përfshirë këtu edhe studimet gjuhësore, për të ndriçuar, ndër të tjera, historinë e lashtë të popullit tonë dhe të gjuhës së tij. në Plenumin e 8 të KQ (25 qershor 1980) ai shtron si të domosdoshme që “shkencat tona shoqërore: politiko-filozofike, ekonomike, historike, të gjuhësisë, të etnografisë e të tjera, të bëjnë studime e përgjithësime komplekse për historinë e lashtë të popullit shqiptar, për të kaluarën heroike dhe gjenezën e tij, për historinë e gjuhës dhe formimin e kombit tonë, për epopenë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, për rrugën nëpër të cilën kemi ecur ne për vendosjen e diktaturës së proletariatit, për krijimin dhe zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës socialiste dhe për një varg problemesh
të tjera që nxjerrin jeta dhe zhvillimi ynë revolucionar…”2
Duke bërë fjalë për punën e disa shkencëtarëve të huaj që kanë shkruar për historinë e gjuhës shqipe, shoku Enver Hoxha vëren se ata vërtet janë marrë me gjuhën shqipe, por jo edhe me historinë e popullit tonë që fliste këtë gjuhë. Ata kanë shqyrtuar prejardhjen e gjuhës sonë dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, po jo arsyet e këtyre ndryshimeve. Ata kanë mbledhur vetëm të dhëna dhe kanë bërë kryesisht krahasime. “Rezultati i punës së tyre, -- thekson shoku Enver, -- mund të jetë i drejtë, por jo i mjaftueshëm, pse neve nuk na duhet vetëm që kjo ose ajo gjuhë është me origjinë indoevropiane ose nga ndonjë tjetër, por ajo duhet lidhur me të gjitha studimet e tjera, të bashkuara me ura me njëra-tjetrën dhe që nga gjithë ky ansambël shkencor të dalë qytetërimi ilir, parailir, pasilir, dhe deri në ditët tona si një zinxhir i pashkëputur.”[3
Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një kërkesë metodologjikisht shumë të nevojshme për të sqaruar drejt çështje të rëndësishme të historisë së popullit dhe të gjuhës sonë, siç është, ndër të tjera, prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe. Kjo çështje kaq e vështirë nuk mund të zgjidhet si duhet pa një bashkëpunim të frytshëm të gjuhësisë, historisë, arkeologjisë dhe etnografisë.
Mjafton të përmendim këtu se dëshmitë që na jep vetë gjuha shqipe lidhur me prejardhjen e saj nga ilirishtja, nuk janë të pakta dhe janë përmendur e janë pranuar edhe nga një varg dijetarësh të huaj. Qysh më 1774 këtë gjë e pat vënë në dukje historiani i njohur suedez, J. Tunman, në veprën e vet “Hulumtime rreth historisë së popujve të Evropës Lindore” dhe e kanë shtjelluar më tej gjuhëtarë të tillë të shquar, si G. Majeri, H. Pederseni, N. Jokli, A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi etj.
Bashkëpunimi ndërsidiplinor është edhe më i nevojshëm për të hedhur dritë mbi popullsinë parailire të trevave tona, që zakonisht njihet me emrin pellazgë. Çështjes së pellazgëve shoku Enver i është kthyer herë pas here në diskutimet dhe shënimet e tij. nëpërmjet pohimeve, vërejtjeve dhe porosive të tij ai ka vënë në dukje nevojën e hulumtimit e të studimit të kësaj çështjeje me tërë seriozitetin e duhur, për të hedhur kështu dritë jo vetëm mbi ilirët, por edhe mbi banorët më të lashtë të Ballkanit dhe mbi kulturën dhe qytetërimin e tyre. Kështu, në diskutimin e mbajtur në Byronë Politike të KQ të PPSH më 6 maj 1959, duke folur për këtë problem
4