Lëvizja VETËVENDOSJE! i shtyu zgjedhjet që ishin paraparë për 1 prill 2009. Përkundër kërkesave të shtuara të partive opozitare që të mbahen zgjedhjet këtë vit, Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron të panevojshme një gjë të tillë. Ajo që dihet, gjithsesi dihet, apo jo? Hashim Thaçi do të fitonte sërish.
Dy vjet më parë, më 1 prill 2007, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! patën organizuar procesin e zgjedhjes së rrencave më të mëdhenj në politikën e Kosovës. 974 qytetarë patën votuar dhe e vetmja ankesë që pat ardhur në adresë të Komisionit të Pavarur Monitorues ishte që kandidatët nuk i kanë pasur mundësitë krejtësisht të barabarta që të rrejnë: ndonjëri dilte më shpesh në televizor sesa tjetri. Fitues atëbotë u bë Hashim Thaçi me gjithsej 418 vota, që do të thotë se pothuajse gjysma e votuesve e shpallën atë rrencin më të madh. Ndonëse Hashim Thaçi ishte në opozitë atëherë, qytetarët e zgjodhën atë si rrencin kryesor, si politikanin që rren më së shumti. Mbase, kjo ishte arsyeja pse pikërisht Hashimi ishte ai që fitoi në ato zgjedhjet e rrejshme që u mbajtën mandej me 17 nëntor 2007.
Renditja përfundimtare e dhjetëshes së artë me 1 prill 2007 ishte kësisoj:
1. Hashim Thaçi me 418 vota ose 48,10%
2. Lutfi Haziri me 350 vota ose 40,27%
3. Astrit Haraqia me 300 vota ose 34,52%
4. Bajram Kosumi me 293 vota ose 33,71%
5. Fatmir Sejdiu me 280 vota ose 32,22%
6. Veton Surroi me 231 vota ose 27,27%
7. Agim Çeku me 228 vota ose 26,23%
8. Kolë Berisha me 192 vota ose 22,09%
9. Bajram Rexhepi me 106 vota ose 12,19%
10. Ylber Hysa me 63 vota ose 7,24%
Nga zgjedhjet e rrejshme të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u bë kryeministër pasi që u bë bashkë me rrencat e një partie tjetër që me 1 prill 2007 dolën po ashtu në pozita të larta: 2, 3, 5 dhe 8. Nëse do të mbaheshin zgjedhjet më 1 prill 2009, siç po këmbëngul opozita, ka mundësi që Hashim Thaçi jo vetëm që do të dilte përsëri i pari, por ai do të mund ta formonte qeverinë edhe pa ndihmën e rrencave të tjerë. Rren fort Hashimi – t’sos!
Të gjithë e dimë se Kosova i ka shumë data që i ka shndërruar në festa zyrtare. 1 Prilli patjetër do të duhej të shpallej “Dita e Politikanëve”. Sepse, kjo është e vetmja ditë kur ata janë të vërtetë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!