Ka disa që tremben se përshpejtuesi i grimcave, i ndërtuar jashtë Gjenevës, mund të krijojë vrima të zeza me përmasa shumë të vogla, të cilat mund të rriten edhe deri sa të përpijnë vetë Tokën
Mund të duket si skenari i ndonjë filmi fantastiko-shkencor me buxhet të ulët: një vrimë e vogël nis të përpijë gjithçka gjendet rrotull dhe malet, liqenet, qytetet e Zvicrës zhduken njëri pas tjetrit në hapësirën që sa vjen e rritet dhe nuk ndalet së zmadhuari. Në fund të filmit prej 38 sekondash, i gjithë planeti përfundon i gëlltitur.
Ndoshta absurde, por një udhëtim i shkurtër nëpër blogë të shumtë në internet, veçanërisht në "YouTube", na mëson se nuk janë të paktë ata që besojnë se diçka e tillë është me se e mundshme. Përshpejtuesi vigan i grimcave në të dalë të Gjenevës, punimet për ndërtimin e të cilit po përfundojnë tani (i Organizatës Evropiane për Kërkime Nukleare, e njohur ndryshe si CERN), shpejt do të vihet në punë. Dhe disa tremben se në çastin që pajisja do përplasë me njëra-tjetrën grimca subatomike me shpejtësi 99.999991 për qind të asaj të dritës, mund të krijohen vrima të zeza shumë të rrezikshme, kontrolli i të cilave është i pamundur.
Frika është përhapur me shpejtësi. Për më tej, një shkencëtar nga Universiteti i Tubingenit, Dr. Oto Rosler, i ka shtuar shqetësimit edhe bindje shkencore aq shumë, sa një grup fizikanësh gjermanë ka publikuar këto ditë një letër të hapur, ku siguron se përshpejtuesi i grimcave, LHC, nuk fsheh në vetvete asnjë rrezik.
"Nuk ka asnjë mundësi që LHC të arrijë të prodhojë vrima të zeza në gjendje që të gëlltisin tokën", shkruan në letrën e Komitetit të Fizikës së Grimcave Elementare (KET) një grup lider në fushën e fizikës kuantike në Gjermani. "Kjo garanci është bazuar mbi teori fizike të testuara me kujdes të skajshëm, si dhe mbi observime po kaq serioze të kozmosit".
Kreu i KET, Dr. Piter Matig, fizikan i Universitetit të Vupertalit, pretendon se teoritë mbi një katastrofë të mundshme nuk kanë bërë vend në publik. "Nuk mendoj se janë të shumtë ata që i marrin seriozisht", tha për revistën gjermane, "Der Spiegel". "Por duhet të pranojmë se jemi pyetur shumë herë mbi këtë rrezik. Njëherësh duam të kundërshtojmë me forcë ata që, si Dr. Rosler, përpiqen të vënë shkencën në dispozicion të atyre që mbështesin teorinë e katastrofës së mundshme".
Provat shkencore
KET sqaron se ata që shqetësohen për krijimin e vrimave të vogla, të cilat më pas do të rriten, në thelb keqkuptojnë rregullat e qarta të fizikës kuantike. Siti zyrtar i KET në internet garanton se pesha e mini-vrimave të zeza do jetë sa një e miliarda e një miliardi të gramit dhe do jenë tepër të paqëndrueshme. Sipas teorisë së zhvilluar nga fizikani i famshëm, Stefan Houking, do të zhduken thuajse në çast, fenomen i njohur ky si rrezatimi Houkings. KET siguron se kushdo që mendon ndryshe, nuk ka arritur ta kuptojë Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ainshtainit.
Ndërkaq, askush nuk mohon faktin se disa fizikanë shpresojnë t‘i observojnë këto vrima teksa krijohen e zhduken (edhe pse për një kohë fare të shkurtër). Një prej qëllimeve të këtij projekti 8 miliardë dollarësh është krijimi i kushteve të njëjta me ato të milisekondave të para të ekzistencës së universit, pikërisht çasti i fillimit të Big Beng-ut.
Duke vepruar kështu, ata që mbështesin teorinë e vargut - një strukturim matematikor i parë nga shumë shkencëtarë si rrugë për unifikimin e mekanikës kuantike me relativitetin e përgjithshëm (e ashtuquajtura "teori e gjithçkasë") - shpresojnë të gjejnë provën shkencore për një ide, e cila deri më tani ka qenë vetëm pak më shumë se një ushtrim në teorinë e fizikës. Teoria e vargut parasheh praninë e disa dimensioneve përtej të katërtave që njohim ne, ashtu si edhe ekzistencën e disa grimcave dhe anti-grimcave që nuk janë observuar ende.
Falë përmasave (shtrihet për 27 kilometra) dhe fuqisë së LHC-së, që e bëjnë përshpejtuesin më të madh të ndërtuar ndonjëherë, disa e konsiderojnë si shansin më të mirë për të zbuluar këto grimca apo dimensione të panjohura.
Rritje e rritje pambarim
Por teoria e vargut nuk është e vetmja ndër teoritë e paprovuara fizike. Edhe rrezatimi i Houkingut është kafshatë e vështirë për t‘u gëlltitur.
Edhe pse formula komplekse e përdorur për të mbështetur këtë teori nxjerr në skenë fenomenin e vrimave të zeza, që emetojnë rrezatime të padukshme, vetë rrezatimi nuk është observuar kurrë. Në rast se nuk ekziston, thonë ata që shqetësohen nga një katastrofë e mundshme e LHC-së, mund të bëhet shumë pak për të mbajtur nën kontroll rritjen e këtyre vrimave. Dhe ato do rriten e do rriten pambarim.
Në marsin e këtij viti, një Gjykatë e Havait nxori edhe një ligj për të vonuar hapjen e LHC-së. Sipas së përditshmes amerikane, "New York Times", disa shkencëtarë të kësaj fushe mendojnë se CERN nuk ka marrë parasysh rreziqet që mund të shkaktojë përdorimi i pajisjes. Në ligj përmendet edhe rreziku i krijimit të "Materies së huaj", e cila mund ta kthejë tokën në vend të pabanueshëm.
Disa shkencëtarë gjithashtu pyesin me zë të lartë për cakun e rreziqeve që duhet të pranojmë kur vjen fjala tek eksperimente të të tilla përmasave, si ky që po zhvillohet nga CERN. Edhe pse shanset që gjërat të shkojnë keq janë pambarimisht të vogla, thonë, katastrofa e mundshme është e përmasave vigane dhe të paimagjinueshme. Pyetja se "sa e pamundur duhet të jetë një katastrofë për të ndaluar zhvillimin e një eksperimenti, nuk është marrë kurrë seriozisht në konsideratë", shkroi në vitin 2003 Adrian Kent, fizikan i Universitetit të Kembrixhit.
www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=47534 - 19k